U akuzua se luajti i dehur, sulmuesi e mohon: Nuk kam pirë kurrë alkool

Sulmuesi i Senegalit, Nicolas Jackson, ka reaguar pas zërave që qarkulluan në medie se kishte dalë fshehurazi nga grumbullimi i kombëtares dhe ishte kthyer i dehur një natë para ndeshjes së Botërorit 2026.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Jackson i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se ato janë të pavërteta.

“Shoh çfarë po thuhet për mua. Është e rreme. Unë nuk pi alkool dhe nuk kam pirë kurrë”, shkroi sulmuesi senegalez.

Ai shtoi se respekton fanellën e Senegalit dhe shokët e skuadrës dhe se nuk do të sillej kurrë në mënyrë joprofesionale.

“E kuptoj zemërimin pas një humbjeje, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të gënjejë për një njeri. Do të vazhdoj të punoj dhe do të rikthehem edhe më i fortë”, deklaroi Jackson.

Senegali u eliminua nga Botërori 2026 pas humbjes dramatike 3-2 ndaj Belgjikës pas kohës shtesë, edhe pse kishte krijuar epërsi 2-0 deri në minutat e fundit të kohës së rregullt.