U eliminua nga Botërori, Federata Brazilane merr këtë vendim për Ançelotin
Federata Braziliane e Futbollit ka konfirmuar se Carlo Ancelotti do të vazhdojë të drejtojë Brazilin, pavarësisht eliminimit nga Botërori 2026 pas humbjes 2-1 ndaj Norvegjisë në 1/16 e finales.
Sipas raportimeve të “Sky Sport Italia”, drejtori ekzekutiv i përfaqësueseve braziliane, Rodrigo Caetano, ka bërë të ditur se federata ka besim të plotë te trajneri italian dhe nuk ka ndërmend të ndryshojë drejtimin teknik të ekipit.
Caetano theksoi se objektivi është ndërtimi i një projekti afatgjatë deri në Botërorin 2030, duke i dhënë fund praktikës së ndryshimeve të shpeshta të trajnerëve.
“Brazili duhet të vazhdojë një cikël normal deri në Kupën e Botës 2030, me më shumë qetësi sesa ndryshimet e shpeshta të trajnerëve që kanë karakterizuar katër vitet e fundit”, deklaroi ai.
Sipas tij, konfirmimi i Ancelottit do t'i mundësojë përfaqësueses të nisë procesin e rindërtimit që në muajin shtator, ndërsa federata kishte krijuar besim te puna e teknikut italian edhe përpara nisjes së Botërorit.
Edhe vetë Ancelotti u shpreh pas humbjes ndaj Norvegjisë se dëshiron të vazhdojë në krye të Brazilit, duke e cilësuar eliminimin si fillimin e një cikli të ri për pesë herë kampionët e botës.
Trajneri italian ka kontratë me Brazilin deri në vitin 2030 dhe do të udhëheqë projektin e rindërtimit të Seleçaos në vitet e ardhshme.