SYRI TV/ Berisha: Dumani po fsheh zyrtarin e ‘Arubas’, ka dosjen dhe fsheh qeveritarët

Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi Altin Dumanin se po mban të fshehtë emrin e zyrtarit të lartë qeveritar që mori pjesë në takimin në Aruba, për llogari të Edi Ramës. Në prononcimin për gazetarët nga SPAK-u, Berisha tha se Dumani është mercenar i kryeministrit Rama, ndërsa shtoi se SPAK është në kontroll të plotë të Belinda Ballukut, e cila lëshon fletëthirrje dhe bën ligjin në Prokurori. Akuza të forta Berisha hodhi edhe ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, për të cilin tha se është skllav i dosjeve të tij, ku rrezikon deri në 10 vite burg.

Nga SPAK-u, ku u paraqit në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”, lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi Altin Dumanin se po mban të fshehtë emrin e zyrtarit të lartë qeveritar që mori pjesë në takimin në Aruba. Berisha tha se Dumani është mercenar i Edi Ramës dhe po vepron për llogari të tij.

Akuza të forta Berisha lëshoi edhe ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, për të cilin tha se ka dosje të hapur me drejtësinë dhe po përpiqet të ndërhyjë për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut për të shpëtuar veten e tij.

Lideri demokrat denoncoi edhe vënien nën kontroll të SPAK-ut nga Belinda Balluku.

I pyetur për dosjen “Partizani”, Berisha përshëndeti dëshminë e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, dhe theksoi se privatizimi është parim themelor i PD-së.

Berisha denoncoi edhe dy standardet e drejtësisë në hetime, ku nga njëra anë akuzohen ata që kanë privatizuar pronën e tyre me dokumente, ndërsa nga ana tjetër amnistohen aferat prej 130 milionë eurosh me djegësin e Tiranës.