Protesta duhet të prodhojë shtet, jo pushtet

Nga Bislim Ahmetaj/

Sot bëhen 37 ditë që njerëzit e lirë, ata që i kanë tepruar atdheut, janë derdhur në sheshet e Shqipërisë për t'i thënë NDAL arrogancës, shpërfilljes, korrupsionit, krimit shtetëror, oligarkisë dhe autokracisë së prodhuar nga qeverisja e EdiMarres.

Kjo protestë nuk është më vetëm një lajm shqiptar.

Ajo është shndërruar në një ngjarje me jehonë ndërkombëtare.

Arritja e saj më e madhe është se ka vrarë frikën ndaj pushtetit dhe shërbëtorëve të tij.

Po aq e rëndësishme është edhe fakti se protesta ka dalë nga korniza e një çështjeje të izoluar mjedisore dhe tashmë perceptohet si një betejë kundër një qeverisjeje të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.

Kryeministri dhe oborri i tij kanë provuar çdo metodë presioni për ta shuar revoltën qytetare:

Shantazhe, arrestime, fushata denigruese, përdorimin e biografive dhe të gjithë arsenalin e propagandës.

Kanë dështuar.

Protestuesit nuk i ndalën as temperaturat përvëluese, as ndeshjet e Kampionatit Botëror,

as korriku dhe sezoni i pushimeve.

Përkundrazi, protesta e së shtunës ishte ndoshta më e madhja e këtyre 37 ditëve.

Kjo dëshmon se vendosmëria e qytetarëve jo vetëm nuk është zbehur, por është forcuar.

Qëllimi mbetet i pandryshuar: dorëheqja e qeverisë, krijimi i një qeverie kalimtare dhe miratimi i një pakete ligjore që të krijojë kushtet për një "Shqipëri të Re".

Megjithatë, gjatë kësaj beteje kanë filluar të shfaqen disa dobësi që meritojnë vëmendje.

Së pari, përpjekjet e grupeve të ndryshme për të kontrolluar protestën dhe produktin politik që ajo mund të sjellë.

Së dyti, tendenca e disa grupeve ideologjikisht të indoktrinuara për të kërkuar "revolucion" në vend të evolucionit.

Ndryshimi duhet të vijë përmes forcimit të shtetit ligjor dhe përmirësimit të institucioneve, jo përmes rrënimit të sistemit. Republika parlamentare mbetet forma më e mirë e provuar e organizimit demokratik;

Ajo ka nevojë për ligje më të mira dhe për zbatim të paanshëm të tyre.

Së treti, teoria e "barazisë në faj".

Drejtësia nuk mund ta trajtojë njësoj autorin dhe viktimën.

Radha drejt drejtësisë duhet të jetë e barabartë për të gjithë, por e bazuar mbi prova dhe përgjegjësi individuale.

Në këtë kontekst, slogani "Rama në burg, Berisha në burg" kërkon më shumë logjikë sesa emocion. Kryeministri aktual përballet me përgjegjësi direkte si drejtues në detyrë, ndërsa ish-kryeministri është prej vitesh jashtë pushtetit dhe ka qenë objekt hetimesh e masash gjyqësore prej vitesh.

Siç mashtron syrin iluzioni optik, ashtu edhe iluzioni i ëndrrimtarëve mund të mashtrojë mendjen.

Krahasimet mekanike prodhojnë konfuzion dhe përçarje mes njerëzve që ndajnë të njëjtin qëllim.

Por patologjia më shqetësuese është kërkimi me çdo kusht i një "lideri".

Pikërisht kjo protestë ka lindur si reagim ndaj kultit të liderëve që, për të mbajtur pushtetin, kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka.

Kjo revoltë nuk ka nevojë për një lider të ri.

Ka nevojë për koordinatorë, që organizojnë punën dhe bashkëpunimin e grupeve të ndryshme pa e kthyer protestën në pronë të askujt.

Prandaj, këshilla ime për të gjithë ata që kanë ndikim mbi protestuesit është e thjeshtë:

Bëni gjithçka që kjo protestë të prodhojë shtet ligjor dhe jo pushtet individual, drejtësi për të gjithë dhe jo hakmarrje për disa, mirëqenie për shtresat në nevojë dhe mundësi të barabarta për njerëzit e dijes dhe të punës.

Koha e "liderëve të fortë" duhet të pushojë për një kohë në sirtarët e historisë.

Shqipërisë i duhen institucione të forta, ligje të forta dhe qytetarë të lirë – jo një kult i ri individi.

Vetëm atëherë kjo protestë do ta ketë përmbushur misionin e saj:

të prodhojë shtet, jo thjesht pushtet.

Tiranë me 6 Korrik 2026.