SYRI TV/ Shqipëria, vend i transitit të heroinës në Europë - në rritje edhe sasia e kokainës
Shqipëria renditet ndër vendet kryesore të nisjes ose transitit të ngarkesave të heroinës në Europë, sipas një raporti të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin për periudhën 2021-2024. Gjithashtu në një tjetër hartë të raportit, Shqipëria shfaqet mes vendeve europiane me rritjen më të fortë të sekuestrimeve të kokainës në vitin 2024.
Syri tv
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin e rendit Shqipërinë ndër vendet kryesore të nisjes ose tranzitit të ngarkesave të heroinës në Europë, sipas rasteve të sekuestrimeve të raportuara për periudhën 2021-2024. Në hartën e publikuar në aneksin statistikor të Raportit botëror të Drogave, Shqipëria shfaqet me ngjyrën që identifikon “shtetet kryesore të nisjes, ose tranzitit” për dërgesat e heroinës. Raporti thekson se tregu global i opioidëve, ku përfshihet edhe heroina, ndodhet në një periudhë ndryshimesh të rëndësishme, megjithatë tregjet mund të përshtaten përmes ndryshimit të rrugëve, metodave të trafikimit dhe në disa raste, zhvendosjes drejt opioidëve sintetikë më të fuqishëm.
Në një tjetër hartë të raportit, Shqipëria shfaqet mes vendeve europiane me rritjen më të fortë të sekuestrimeve të kokainës në vitin 2024, duke u shënuar me ngjyrën që tregon dyfishim ose më shumë të sasive të kapura krahasuar me vitin 2023. Kjo e vendos Shqipërinë në të njëjtën kategori me disa vende të Europës Juglindore dhe Lindore, ku sekuestrimet u rritën ndjeshëm gjatë vitit.
Raporti thekson gjithashtu se në Europën Perëndimore dhe Qendrore, trafiku i kokainës ka pësuar ndryshime të rëndësishme. Sasia e kokainës së sekuestruar u rrit shtatëfish në periudhën 2014–2023. Megjithatë, në disa vende, në vitin 2024 u vu re rënie si e pastërtisë së kokainës në tregun me pakicë, ashtu edhe e sasive të sekuestruara, çka mund të sinjalizojë ndërprerje të përkohshme në disa zona, ndërsa flukset hyrëse po përshtateshin me pika të reja hyrjeje.
Në tërësi, sasia e kokainës së sekuestruar në Europën Perëndimore dhe Qendrore ra, ndërsa qendrat kryesore të trafikut u zhvendosën nga portet e rëndësishme të Belgjikës, Gjermanisë dhe Holandës drejt Francës, Portugalisë dhe Spanjës. Por edhe portet më të vogla duket se po fitojnë rëndësi në rrjetet e trafikut. Në përgjithësi, flukset e kokainës drejt Europës Perëndimore dhe Qendrore janë përshtatur për sa u përket rrugëve, pikave të hyrjes dhe metodave të trafikimit, por mbeten në nivele të larta.