Transmetuesi publik belg: Rama i akuzuar për korrupsion, manipulim zgjedhor dhe favorizim të njerëzve të afërt

Me qindra media të njohura në mbarë Evropën dhe botën vazhdojnë t’i bëjnë jehonë protestave masive ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës.

Televizioni publik belg, VRT, ka përgatitur një profil të gjatë për Edi Ramën, ku thekson se pas imazhit të politikanit artist, fshihet një njeri i akuzuar për korrupsion, nepotizëm dhe manipulim zgjedhor.

“Por, pas atij imazhi të reformatorit, artistit dhe politikanit karizmatik, fshihet edhe një politikan që vitet e fundit është përfshirë vazhdimisht në politika. Sipas kundërshtarëve të tij, tepër shumë pushtet politik është përqendruar rreth figurës së tij.

Edhe liria e medias është nën presion në Shqipëri. Mediat kritike përballen me presione dhe Rama është përplasur edhe me organizatën ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, e cila e ka ulur Shqipërinë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

Rama është përndjekur prej vitesh edhe nga akuza të vazhdueshme për korrupsion, manipulim zgjedhor dhe favorizim të njerëzve të afërt.

Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka shprehur shqetësim për mënyrën se si janë zhvilluar zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ish-ministra të qeverisë Rama janë akuzuar dhe dënuar për korrupsion. Vetë Rama i mohon të gjitha akuzat.

Organizatat ndërkombëtare theksojnë se korrupsioni dhe ndikimi politik mbeten probleme serioze në Shqipëri, veçanërisht në projektet e zhvillimit urban.

Prandaj nuk është aspak çudi që i ashtuquajturi "Revolucioni i Flamingove", i cili nisi si protestë kundër një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.

Prej javësh, dhjetëra mijëra njerëz dalin në rrugë, të shtunën për të 35-ën herë radhazi, pikërisht në ditëlindjen e Ramës.

Ata e akuzojnë kryeministrin se u jep përparësi investitorëve të huaj mbi interesat e vendit. Rama, megjithatë, beson se resorti luksoz do ta forcojë edhe më tej sektorin tashmë në rritje të turizmit.

Ndërkohë, pakënaqësia nuk drejtohet më vetëm kundër projektit të kompleksit me 10.000 dhoma të lidhur me familjen Trump. Protestuesit tani kërkojnë edhe ndryshime kushtetuese, fundin e korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit,” raporton media e rëndësishme belge.