Sekuestrohen 1,426 bimë kanabis në Divjakë, nis hetimi ndaj zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetim ndaj zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Divjakë, nën dyshimin për shpërdorim detyre, pas zbulimit dhe sekuestrimit të 1,426 bimëve narkotike kanabis sativa të kultivuara në këtë zonë, raporton gazetarja Xhensila Kodra.

Burime bëjnë me dije se rasti është referuar në Prokurori, pasi dyshohet se drejtuesit e komisariatit nuk kanë ushtruar kontrollet e nevojshme për evidentimin dhe goditjen e parcelave të mbjella me kanabis.

Parcela me lëndë narkotike u zbulua pak ditë më parë në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një sipërfaqe toke shtetërore.

Gjatë operacionit u sekuestruan 1,426 bimë kanabis sativa, 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe 7 kilogramë kanabis në formë boçesh.

Për këtë nën hetim u vunë tre persona, punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier.

“Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një tokë shtetërore, u gjet një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në formë boçesh. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimit.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për 3 punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier, shtetasit:

-E. T., 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, F. H., 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi dhe G. A., 53 vjeç, me detyrë roje.”, thuhej në njoftimin e policisë.