‘Hëngra keçap e djathë’, viktima e tërmetit në Venezuelë tregon si mbijetoi nën rrënoja

Tërmeti i fuqishëm i 24 qershorit në Venezuelë ka shkaktuar tragjedi dhe shkatërrim të gjerë, duke lënë mijëra viktima dhe shumë të zhdukur.

Mes rrënojave në qytetin Caraballeda, një vajzë 12-vjeçare, Fabiana, ka mbijetuar për 32 orë e bllokuar nën një ndërtesë të shembur, duke u shpëtuar më pas nga ekipet e shpëtimit. Ajo ishte brenda banesës kur tërmetet e fuqishme goditën vendin, duke shembur ndërtesën 10-katëshe ku jetonte.

Nëna e saj, Karina Blanco, ka rrëfyer momentet dramatike kur ka mbërritur në vendngjarje dhe ka parë ndërtesën e saj të shkatërruar plotësisht. Vajza është lokalizuar më vonë falë një vullnetari dhe është nxjerrë gjallë nga rrënojat pas një operacioni të gjatë shpëtimi.

Gjatë kohës së bllokuar nën rrënoja, Fabiana ka treguar se për të qëndruar e vetëdijshme ka ngrënë pak keçap dhe djathë të grirë që i ka gjetur mes rrënojave.

“Për disa arsye kisha shpresë dhe besim. Njëra nga këmbët më ishte përkulur në një pozicion shumë të dhimbshëm dhe lëviza disa nga rrënojat që të mund ta drejtoja. Gjatë kësaj mora gërvishtje dhe prerje, por gjeta një shishe keçap dhe pak djathë të grirë. Kjo ishte ajo që më mbajti të vetëdijshme”, tha ajo.

Sipas transmetuesit britanik BBC, autoritetet venezueliane raportojnë se nga tërmetet kanë vdekur 3,342 persona, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Fabiana ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe aktualisht po qëndron te gjyshja e saj.