Shkelën perimetrin e sigurisë në det/ Bllokohen 2 Jet Ski dhe gjobiten drejtuesit
Gjatë monitorimeve në zonën detare të Sarandë, shërbimet e Policisë konstatuan një mjet lundrues Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në një zonë të frekuentuar nga pushues, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe sigurinë e tyre.
Një tjetër rast u evidentua në zonën e Ksamil, ku një Jet Ski kishte shkelur të njëjtat rregulla, duke hyrë në hapësirën e ndaluar për lundrim pranë plazhit.
Të dy mjetet lundruese u bllokuan dhe u shoqëruan në Portin e Sarandës. Ndaj drejtuesve të tyre, shtetasve R. A. dhe R. P., u vendosën masa administrative me gjobë prej 500.000 lekësh të rinj secili.
Njoftimi i policisë:
Siguria Detare në fokus
Sarandë/Shkelën perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve, Policia Kufitare bllokon 2 mjete lundruese (Jet Ski) dhe ndëshkon drejtuesit me masë administrative nga 500.000 lekë të rinj.
Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në zonën e Gjirit të Sarandës, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (Jet Ski) që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Gjithashtu, po gjatë patrullimit, në zonën e Gjirit të Ksamilit, u konstatua edhe një tjetër mjet lundrues (Jet Ski) që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në kundërshtim me rregullat e lundrimit.
Në përfundim të veprimeve administrative, të dy mjetet lundruese u shoqëruan dhe u bllokuan në Portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesve, shtetasve R. A. dhe R. P., u vendosën masa administrative me vlerë 500.000 lekë të rinj, secilit.
Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit.