Antimafia italiane/ Mbi 18 milionë euro nga droga u shndërruan në ar, konfiskohen pasuri mbi 2 milionë euro në Itali dhe Kosovë
Autoritetet italiane kanë goditur dy skema të rëndësishme të kriminalitetit të organizuar, duke sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë mbi 2 milionë euro në Itali dhe Kosovë. Hetimet kanë zbuluar se mbi 18 milionë euro të përfituara nga trafiku i drogës u konvertuan në shufra ari për të fshehur origjinën e paligjshme të parave, ndërsa një tjetër operacion nxori në pah lidhje të forta me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve nga Shqipëria.
Në operacionin e parë, me urdhër të Prokurorisë së Milanos – Drejtoria Kundër Mafias (DDA), Guardia di Finanza, përmes Komandës Provinciale të Milanos dhe Shërbimit Qendror të Hetimit mbi Kriminalitetin e Organizuar (SCICO), ekzekutoi në Kosovë një urdhër sekuestrimi pasurish me vlerë rreth 1 milion euro.
Aksioni ishte rezultat i një hetimi ndërkombëtar të zhvilluar me mbështetjen e projekteve evropiane HAPE dhe Rrjetit @ON, në bashkëpunim me Xhandarmërinë Kombëtare Franceze, nën koordinimin e Eurojust dhe Europol.
Sekuestrimi lidhet me një operacion të zhvilluar në shtator 2025, kur autoritetet sekuestruan pasuri dhe asete me vlerë mbi 30 milionë euro, të dyshuara si pjesë e një rrjeti transnacional të pastrimit të parave nga trafiku i narkotikëve në Francë.
Sipas hetimeve, pasuritë në Kosovë i përkasin një çifti shtetasish kosovarë me banim në provincën e Alessandrias në Itali. Ata janë nën hetim për pastrim parash dhe u arrestuan në Francë pasi u kapën me mbi 50 kilogramë shufra ari me pastërti të lartë, të fshehura në një ndarje të posaçme të automjetit të tyre.
Verifikimet financiare zbuluan llogari bankare, biznese, prona të paluajtshme dhe automjete luksoze të regjistruara në Kosovë.
Hetimet dokumentuan se, gjatë 10 muajve, të paktën 18 milionë euro të ardhura nga trafiku i drogës në Francë transportoheshin në banesën e çiftit në Alessandria. Më pas, këto para shndërroheshin në shufra dhe pllaka ari me ndihmën e personave të përfshirë në sektorin e përpunimit të metaleve të çmuara në Lombardi dhe Piemonte. Sipas autoriteteve, kjo skemë shërbente për të fshehur origjinën e paligjshme të parave dhe për të lehtësuar transferimin e tyre drejt Kosovës, Turqisë dhe Marokut.
Në një operacion tjetër, Drejtoria Hetimore Antimafia (DIA) e Leçes konfiskoi pasuri me vlerë mbi 1 milion euro në Scorrano. Masa u mor ndaj një personi me precedentë të shumtë penalë, i konsideruar nga autoritetet italiane si subjekt me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas hetimeve pasurore, u evidentua një disproporcion i madh mes të ardhurave të deklaruara dhe pasurisë së akumuluar, ndërsa një pjesë e aseteve rezultonin të regjistruara në emër të familjarëve për të fshehur pronësinë reale.
Dosja hetimore nxjerr në pah edhe dimensionin ndërkombëtar të aktivitetit kriminal. Sipas Prokurorisë Distriktuale Antimafia të Leçes, i dyshuari ishte një nga organizatorët kryesorë të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke koordinuar furnizimin me ngarkesa narkotikësh nga Shqipëria, transportin përmes Adriatikut, zbarkimin në brigjet e Salentos dhe shpërndarjen në territorin italian.
Autoritetet italiane dyshojnë gjithashtu se ai ka ndihmuar në fshehjen në Itali të një eksponenti të organizatës mafioze Sacra Corona Unita dhe më pas në transferimin e tij drejt Shqipërisë, çka konsiderohet si provë e bashkëpunimit ndërkufitar mes rrjeteve kriminale.
I dyshuari është arrestuar në kuadër të disa operacioneve të rëndësishme antidrogë gjatë viteve 2024 dhe 2025, ndërsa konfiskimi përfshin një vilë me pishinë, një banesë, dy magazina, tre parcela toke bujqësore, një automjet dhe 14 marrëdhënie financiare.
Autoritetet italiane theksojnë se të dy operacionet janë pjesë e strategjisë për goditjen e bazës ekonomike të organizatave kriminale dhe ndërprerjen e rrjeteve të pastrimit të parave që financojnë trafikun ndërkombëtar të narkotikëve./ Alba Kepi/