Berisha: Përshëndes dëshminë e zotit Ylli Pango, privatizimi është parim themelor i kësaj partie
Gjatë një deklarate pas daljes nga SPAK, kreu i PD tha se përshëndes dëshminë e zotit Ylli Pango për çështjen e dosjes “Partizani”. “Privatizimi është parim themelor i kësaj partie”, tha kreu demokrat.
Doktor Berisha, kanë nisur në Gjykatën e Posaçme të dëshmojnë ish-funksionarë të kabinetit Berisha 1 në lidhje me dosjen Partizani. Sot është Gazmend Oketa, ndërsa në një seancë të mëparshme ka qenë Ylli Pango, i cili foli edhe për qëndrimin e qeverisë Berisha 1, ku sipas tij në mbledhjet e para ishte dhënë direktiva që të përshpejtoheshin proceset e privatizimit. Si e komentoni ju dëshminë e Ylli Pangos?
Sali Berisha: E komentoj si një të vërtetë absolute. Kam pasur një program elektoral, në të cilin u kam premtuar shqiptarëve privatizim, privatizim, privatizim.
Dhe ajo ka qenë mbajtje e fjalës. Nuk ndaja fjalën nga vepra. Kisha premtuar privatizimin e objekteve të privatizueshme dhe kam proceduar me shpejtësinë më të madhe.
Ju duhet ta dini, t'ju jap një shifër, qeveria e Partisë Demokratike ka privatizuar në një vit sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar 104 mijë objekte dhe sipërmarrje të vogla e të mesme.
Pra, privatizimi është një parim themelor i asaj partie, i atij spektri politik që unë i përkas.
E përshëndes dëshminë e zotit Pango, i cili ka mbrojtur aty programin e qeverisë në të cilën ka bërë pjesë.
Dhe meqenëse ti flet këtu, meqenëse pyet për këtë, tani të pyes edhe unë pak. Si të duket ty? A s'është kështu? Akuzohet tjetri se ka marrë 410 metra katrorë tokë të gjyshes dhe gjyshit të vet, ndër të cilët edhe të pushkatuar nga regjimi, me të gjithë dokumentet. Me të gjithë dokumentat!
Dhe që faktohet se ato kanë qenë edhe në '37-ën prona e tyre. Dhe nuk akuzohet këta që zhdukën qeveritarët 130 milionë euro në djegësin e Tiranës.
A nuk janë këta prokurorë, apo këta mjeranë të qeverisë më të korruptuar në Europë dhe në botë?
Për sa i përket zotit Oketa, e përshëndes dhe e ftoj të thotë gjithçka din rreth atij problemi. Kaq.
Ajo është procedura më transparente, më ligjore, në të cilën armiqtë e saj ligjorë nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje ligjore.