Zhulali: Procesi në SHBA mund të çojë deri në ekstradim dhe arrestim, Rama do të japë llogari

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, foli mbi zhvillimet e fundit që lidhen me amendamentin e propozuar në Kongresin Amerikan.

Ajo u shpreh se miratimi i tij do të vërë në lëvizje organet amerikane të drejtësisë dhe Departamentin e Shtetit, të cilat do të kenë 180 ditë për të hartuar një raport që mund të pasohet me akuza penale, kërkesa për ekstradim apo arrestim ndaj personave të përfshirë në narkotrafik.

Zhulali deklaroi se Rama do të duhet të japë llogari përpara drejtësisë amerikane, duke shtuar se procesi që pritet të nisë përbën kërcënimin më të madh deri më sot për pushtetin politik dhe të ardhmen e tij.

Pjesë nga deklarata:

Nuk është se shtrohet çështja nëse do të veprojë dikush më pas apo nëse kjo do të mbetet thjesht një deklaratë politike. Kjo merr forcën e ligjit dhe menjëherë organet e drejtësisë amerikane dhe Departamenti i Shtetit do të duhet të hartojnë një raport brenda 180 ditëve. Pra, kanë gjashtë muaj kohë për të përgatitur një material me informacione konfidenciale ose jo; një pjesë mund të bëhet publike dhe një pjesë jo. Më pas, pasi të merret në shqyrtim nga Kongresi, kjo mund të çojë në lëvizje të tjera, siç e thashë, nga Departamenti i Drejtësisë, i cili mund të ngrejë edhe akuza penale të drejtpërdrejta ndaj Edi Ramës apo personave të tjerë që janë të përfshirë në narkotrafik. Madje, mund të shkojë deri te kërkesa për ekstradim apo arrestim pas largimit nga detyra, në varësi të mënyrës se si do të zhvillohen ngjarjet. Pra, ky është zinxhiri që vihet në lëvizje menjëherë me miratimin e këtij akti.

Deri tani, ajo që dimë është fakti se Edi Rama, ndër të tjera, gjatë kësaj kohe ka ekspozuar familjen e Donald Trump, në rastin e Zvërnecit dhe Sazanit. Mirëpo, ajo që shumë njerëz nuk e dinë, qoftë edhe në opinionin publik ndërkombëtar, është se Edi Rama është ofruar si ndërmjetës, duke ofruar veten e tij si garanci për të lidhur familjen e Donald Trump, pra vajzën e tij, Ivankën, dhe Jared Kushner-in me investitorë privatë. Një nga investitorët privatë ose partnerët, pronarët e tokës, është një person që dyshohet se është i lidhur me narkotrafikun, dhe kjo i vendos një njollë shumë të madhe jo vetëm familjes Trump, jo vetëm projektit në fjalë, por edhe fushatës që ka ndërmarrë vetë Donald Trump në Amerikë për të luftuar kartelet e drogës. Pra, e ekspozon atë edhe politikisht brenda vendit të vet dhe i vendos një pikëpyetje shumë të madhe edhe fushatës së tij.

Kështu që Edi Rama, në këtë rol që ka ndërmarrë, ju e mbani mend edhe mënyrën se si e priti Ivankën. E bëri çështje të brendshme dhe çështje ndërkombëtare. Ai tha: "Unë nuk shkova në bordin e FASHA-s, sepse duhej të merresha me të." Ai është i lidhur me një grup arkitektësh dhe janë ulur të gjithë së bashku. Kështu që ai nuk ka asnjë mënyrë se si ta përjashtojë veten nga kjo çështje, e cila do të hetohet, dhe do të shihet se cili ka qenë roli i tij, cila ka qenë marrëdhënia e tij me Artur Shehun dhe me persona të tjerë që janë të përfshirë aty si pronarë, çfarë i lidh ata me njëri-tjetrin, si kanë rënë në kontakt me njëri-tjetrin dhe çfarë e ka shtyrë Edi Ramën që të krijojë këtë lidhje me vajzën e vetë presidentit Trump.

Ai këtë fabul do ta tregojë, por kjo fabul tani po i kthehet bumerang, sepse ai do të duhet të japë llogari. Dhe kjo llogari që do të duhet të japë nuk është më çështje gazetash apo intervistash nervoze, siç ka dhënë këto ditë, por ai po bëhet gati të japë llogari përpara organeve të drejtësisë amerikane. Kjo i kërcënon jo vetëm pushtetin politik në Shqipëri, por edhe të ardhmen e tij, si një person që mund të përfundojë si Maduro apo si presidenti i Hondurasit, i cili u arrestua pas largimit nga detyra. Kështu, përveç sanksioneve të tjera që mund të ketë për familjarët e tij apo për persona të tjerë bashkëpunëtorë në qeverinë e tij, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në ndërtimin e kësaj skeme.