Ekspozita në Tiranë/ Shqiptarja nga Vjena, zbulon traumën e bukur dhe ndërtimin e trupave me rërë nga Kosova
Tirana mirëpret një tjetër ngjarje të rëndësishme kulturore, e cila do të zhvillohet në ambientet e Piramidës, pranë "Gallery of Contemporary Art". Protagonistja e kësaj ekspozite është Albana Ejupi, një artiste e re dhe tejet kreative, e cila ka mbërritur nga Vjena për të prezantuar projektin e saj më të fundit të titulluar "Body Under Construction" (Trup në ndërtim).
Gjatë një interviste me Flavio Qarrin në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv, vizita e saj në kryeqytetin shqiptar u cilësua me humor si një "marrje peng" nga Vjena, për të shmangur një incident historik, por që në fakt sjell një perspektivë të re dhe të freskët artistike. Vetë artistja e përshkroi Tiranën si një qytet mjaft kaotik, por jashtëzakonisht jetësor dhe me shumë frymë, duke e konsideruar këtë tranzicion nga qetësia vjeneze si një "traumë të bukur".
Ekspozita "Body Under Construction" nuk ka lidhje me fenomenin sipërfaqësor global të "trupit të verës", por trajton njeriun dhe jetën si projektin më të gjatë që ndodhet vazhdimisht në proces ndërtimi. Eksperiencat njerëzore, dashuria dhe migrimi lënë gjurmë dhe krijojnë histori brenda trupit. E frymëzuar nga pasioni ballkanik për ndërtimet, artistja ka zgjedhur të përdorë materiale që tradicionalisht konsiderohen mashkullore në industrinë e rëndë. Megjithatë, ndryshe nga ndërtuesit e zakonshëm, ajo nuk ndërton qytete apo struktura betoni, por ndërton trupa njerëzorë duke përdorur rërë nga Kosova.
Një element i ri dhe tërheqës i këtij projekti, i cili e ka zanafillën në Vjenë, është kalimi në tre-dimensionalitet, ku skulpturat dhe trupat dalin jashtë kornizave të pëlhurës. Ky tranzicion nga piktura klasike drejt artit multimedial ka ardhur si një evolucion i natyrshëm në procesin krijues, duke dëshmuar se zhvillimi i vazhdueshëm është thelbësor si në rrugëtimin jetësor, ashtu edhe në atë artistik.
Flavio Qarri: Ka vetëm vështirësi ekzistenciale, ka dhe gjëra të tjera shumë më të mira, shumë më simpatike dhe sidomos nëse bëni dhe xhiro nga protesta, mundet fare mirë të shikoni pasnesër, jo sot, një gjë po aq jashtëzakonisht interesante që do të ndodhë diku aty tek Piramida. Do të jetë një ekspozitë dhe kemi marrë peng protagonisten e asaj ekspozite. Sigurisht, njeriu që qëndron pas saj, e kemi marrë peng që nga Vjena deri këtu, me shpresën që nuk do të jetë si në rastin e Franc Ferdinandit dhe të shkaktojmë një luftë botërore për të. Por Albana Ejupi është me ne, një artiste e re dhe shumë kreative. Si po e gjen Tiranën?
Albana Ejupi: Shumë kaotike...
Flavio Qarri: Faleminderit, mburremi me këtë.
Albana Ejupi: Po shumë jetësore. Ka shumë frymë, ka shumë jetë.
Flavio Qarri: Sepse po të vish nga Vjena është një lloj traume kjo.
Albana Ejupi: Traumë e bukur…Ekspozita quhet Body Under Construction. Qëllimi ose koncepti i titullit ka qenë... mendoj që jemi njerëz që eksperiencat tona, ose jeta është projekti më i gjatë jetësor që ne posedojmë. Edhe eksperiencat, përvojat, dashuria, migrimi, të gjitha këto sjellin histori brenda trupit, edhe për atë arsye është si projekt më i gjatë i jetës, sepse është gjithmonë në ndërtim. Edhe kjo ka ardhur tek lidhja e, “trupi në ndërtim”. Mandej, kam dashur të merrem pak a shumë me konceptin e ndërtimit sepse si shoqëri ballkanike që jemi, ndërtimet i kemi shumë favorite. Si artiste e Ballkanit, përdori materialin në këtë rast që cilësohet si mashkullor, që përdoret për ndërtime. Edhe në këtë rast nuk është që përdori ndërtim të strukturave të qyteteve. Në këtë rast nuk ndërtoj qytete por ndërtoj trupa me rërë nga Kosova. Ku këtu po shohim ekspozitën e fundit që ka qenë në Vjenë. Edhe skulptura.
Flavio Qarri: A ka një dozë domosdoshmërie tënden për të qenë multimediale, pra për të mos pasur një disiplinë ngushtësisht, klasikisht monotematike? Apo është dozë domosdoshmërie e shprehisë për ty?
Albana Ejupi: Jo me patjetër. Mendoj që kjo ka evoluar me kohën, si proces artistik. Sepse në fillim kam qenë shumë vetëm në pjesën e pikturës. Mirëpo gjatë zhvillimit artistik, kanë ardhur gjëra natyrshëm, ku kanë qenë shumë të nevojshme me i fut mandej në pjesën artistike. Edhe mendoj që evoluimi në çdo aspekt jetësor, po ashtu edhe artistik, është gjë shumë e rëndësishme.