'Shteti mbylli sytë përballë plagjiaturës së zyrtarëve'/ Kola: Asnjë titull nuk u hoq pavarësisht denoncimeve

Skandali i plagjiaturave në doktoraturat e zyrtarëve të lartë publikë po thellon krizën e besimit ndaj institucioneve dhe sistemit akademik në Shqipëri. Një nga rastet më të fundit dhe flagrante të denoncuara përfshin deputetin socialist dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Studiuesi Vladimir Kola ka bërë publike fakte tronditëse lidhur me temën e doktoraturës së këtij zyrtari, duke theksuar se punimi me titull "Veprat penale kundër mjedisit", i mbrojtur në vitin 2017 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, përmban faqe të tëra të kopjuara nga artikuj shkencorë, një studim i Bankës Botërore dhe materiale të Komisionit Evropian, pa respektuar asnjë standard akademik të citimit apo referimit.

Gjatë një interviste ne KAFE SHQETO, eksperti Vladimir Kola shpjegoi se ky fenomen nuk është thjesht një lajthitje e izoluar, por një dështim i plotë i mekanizmave të shtetit. Këto doktoratura kalojnë pa u filtruar dhe pa u verifikuar as nga udhëheqësit shkencorë, as nga komisionet e fakulteteve dhe as nga programet kompjuterike anti-plagjiaturë. Fakti që zyrtarët mbajnë poste publike, thekson ai, e bën edhe më të lehtë procesin e marrjes së këtyre titujve, pasi kontrolli ndaj tyre është i dobët ose inekzistent.

Sipas ekspertit, ajo çfarë e bën situatën edhe më shqetësuese është përfitimi i drejtpërdrejtë që vjen nga këta tituj fiktivë. Këto diploma nuk shërbejnë vetëm për të rritur autoritetin e rremë në kurrikulumin e zyrtarëve, por përkthehen në përfitime reale ekuivalente me para dhe pushtet.

Mbajtja e titullit "Doktor Shkencash" , sipas Kolës, u jep atyre mundësinë të kërkojnë rritje page në administratën publike, të përfitojnë nga llogaritja e pensioneve si dhe të sigurojnë pozicione lektori në auditoret e universiteteve. Ndërkohë që në shtete të tjera të botës zbulimi i një plagjiature të tillë do të çonte automatikisht në heqjen e titullit dhe fundin e karrierës publike, në Shqipëri abuzuesit vijojnë të mbeten të paprekur.

Vladimir Kola:

Çështja e mbrojtjes së mjedisit mund edhe të lidhet me pozicione të ndryshme që dikush mund të marrë... Por ndërsa nga ana tjetër, duke folur për kopjimin, në të vërtetë kopjimi është denoncuar që në vitin 2019. Janë denoncuar edhe disa kopjime të tjera, por që pastaj natyrisht me sa kam unë dijeni, edhe pse u tentua që të bëhej një kontroll me softuer nga Ministria dhe pastaj të vlerësohej rezultati i softuerit nga universitetet, nuk ka pasur një vazhdim që të bëhej pastaj edhe një verifikim i vijueshëm...

Jo, absolutisht. Problemi është pikërisht këtu, që në të vërtetë këto doktoratura janë dhënë pa u bërë një kontroll as nga udhëheqësi i doktoraturës, as nga komisioni, as nga një softuer që mund të përdorej nga universiteti. Për këtë arsye, pastaj edhe fakti i internetit, nga njëra anë duke u përdorur keq e ka favorizuar, sepse mund të gjesh një tekst gati dhe mund ta kopjosh shumë lehtë për ta vendosur sikur e ke shkruar vetë.

Sigurisht që fakti që dikush është në një pozicion, që ka një post të caktuar e të tjerë, e favorizon para së gjithash të hyjë në doktoraturë. Së dyti, normalisht që edhe kontrolli ndaj dikujt që ka një post mund të jetë shumë më i ulët. Thënë kjo, normalisht që problemi i titujve të doktoraturës, mënyra se si merret e të tjerë, është më i gjerë dhe shkon përtej atyre që mund të kenë poste. Problemi qëndron pikërisht te metodika, te mënyra se si mund të bëhet verifikimi para dhënies së titullit. Por favorizon në të njëjtën kohë normalisht edhe dikë që ka post për të hyrë dhe për ta marrë si titull.

Po, titulli në vetvete mund të ketë përfitime. Së pari, në qoftë se dikush pastaj mund ta përdorë edhe për karrierën akademike, ndoshta edhe thjesht si lektor apo pedagog i jashtëm apo i brendshëm. Së dyti, mund të ketë përfitime edhe për sa i përket pagës.

Në raste të caktuara, kur bëhet vlerësimi në bazë të titujve që dikush ka në administratë. Sepse duke pasur disa tituj të caktuar në administratë, mund të kesh edhe një shtesë mbi bazën e atyre titujve. Por besoj se kjo është më shumë edhe për faktin që të paraqitesh që ke mbrojtur doktoraturën, të jep edhe një farë autoriteti kundrejt publikut, si pjesë e CV-së, kurrikulumit që dikush paraqet në vetvete.Atë të them të drejtën unë personalisht nuk e kam studiuar në mënyrë të detajuar, por nëse për shembull dikush gjithsesi ka një shtesë normalisht në pagë, mund të ketë ndonjë favor edhe në mënyrën sesi llogariten kontributet pastaj.Atëherë, ne po flasim për parimet e përgjithshme, që akuzat e plagjiaturës në të vërtetë janë bërë edhe në shtete të tjera.

Me sa kam unë dijeni, kur ka pasur sidomos autoritete publike që ka qenë vëmendja më e lartë, verifikohet nga një komision... dhe nëse komisioni arrin në përfundimin që ka kopjime e shkelje të parametrave të kërkimit shkencor, mund të vendoset edhe heqja e titullit. Megjithatë, siç e thashë, me sa kam unë dijeni, edhe pse akuzat kryesore janë bërë nga fundi i 2018-ës dhe fillimi i 2019-ës në Shqipëri, pavarësisht se u aprovua edhe një vendim i Këshillit të Ministrave që të krijohej një softuer në Ministrinë e Arsimit dhe rezultatet e softuerit t'i kalonin universiteteve... me sa di unë konkretisht nuk janë bërë heqje titujsh. Kjo pavarësisht nëse dikush ka qenë me autoritet apo një person pa shumë autoritet, apo pa influencë të atëçastshme në pushtet. Nuk ka pasur heqje titujsh as nga njerëzit që konsiderohen të pa pushtet, por që mund të kenë marrë një titull.