Harry Kane pranë titullit ‘Sir’, ylli i Anglisë mund të bëhet ‘Kalorës’
Harry Kane mund të jetë shumë shpejt jo vetëm një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Anglisë, por edhe të marrë një nga nderimet më të larta civile në Mbretërinë e Bashkuar. Sulmuesi i Anglisë dhe i Bayernit është kandidat për t'u shpallur kalorës, duke fituar titullin prestigjioz “Sir”.
Sipas raportimeve nga mediet britanike, Partia Liberal-Demokrate ka paraqitur një mocion në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ku kërkohet që Kane të nderohet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në futboll dhe për krenarinë që i ka sjellë vendit në arenën ndërkombëtare.
Mocioni është paraqitur nga deputetja Layla Moran, e cila u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha forcave politike të mbështesin këtë nismë. Ajo thekson se Kane ka shkruar histori me paraqitjet e tij në Kupën e Botës, duke kaluar legjendën braziliane Pelé për numrin e golave të shënuar në këtë turne.
Kapiteni i Anglisë po zhvillon një tjetër Botëror të shkëlqyer dhe tashmë është golashënuesi më i mirë i përfaqësueses angleze në historinë e Kupës së Botës, me 13 gola. Kjo arritje e ka forcuar edhe më shumë kandidaturën e tij për t'u nderuar me titullin e kalorësit.
Kane ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme si me klubet ku ka luajtur, ashtu edhe me Anglinë, duke qenë protagonist në Kampionatet Evropiane dhe Kupat e Botës. Nëse nisma miratohet dhe merr miratimin e autoriteteve britanike, ai do të njihet zyrtarisht si “Sir Harry Edward Kane”, duke iu bashkuar emrave legjendarë të futbollit anglez dhe britanik që kanë marrë këtë nderim, si Sir Alex Ferguson dhe Sir Bobby Charlton.