'Rama jepe dorëheqjen'/ Protesta e 36-të, nis marshimi në rrugët e Tiranës, bashkohen edhe protestuesit që u liruan sot

Pas rreth dy orësh fjalime, protestuesit kanë nisur marshimin në kuadër të protestës së 36-të, e cila po zhvillohet mbrëmjen e kësaj të hëne në kryeqytet.

Të shoqëruar nga thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, mijëra qytetarë janë larguar nga bulevardi kryesor, duke vijuar lëvizjen në rrugët e Tiranës.

Edhe në këtë protestë, ashtu si në tubimet e mëparshme, nuk dihet ende itinerari i marshimit.

Protesta është shoqëruar me një pjesëmarrje të lartë, ndërsa pamjet nga terreni tregojnë turma të mëdha qytetarësh që marshojnë në rrugë, me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.