‘Dorëzohet’ Cristiano Ronaldo: Po, Ky do të jetë Botërori im i fundit!
Cristiano Ronaldo ka bërë të ditur se Kupa e Botës 2026 do të jetë e fundit në karrierën e tij me përfaqësuesen e Portugalisë. ‘Ylli’ portugez e konfirmoi këtë vendim në konferencën për shtypin në prag të sfidës së 1/8-ave ndaj Spanjës, duke u dhënë fund spekulimeve të fundit për të ardhmen e tij në Kombëtare.
“Botërori i fundit… (qesh). Pyetje interesante, më pëlqeu”, u shpreh fillimisht Ronaldo me ironi, përpara se të jepte deklaratën e shumëpritur. “Ajo që mbetet janë njerëzit, ata që na duan dhe me të cilët ndajmë momente të veçanta. Janë kujtime spektakolare. Është e rëndësishme ta shijojmë maksimalisht. Po, ky do të jetë Botërori im i fundit”, tha kapiteni i Portugalisë.
Me këtë deklaratë, Ronaldo konfirmon se pas pjesëmarrjes së tij të gjashtë në një Kupë Bote, ai nuk do të jetë pjesë e edicionit të vitit 2030 që pritet të zhvillohet në Portugali dhe Spanjë.
Sulmuesi 41-vjeçar foli gjithashtu për kritikat që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme, duke theksuar rëndësinë e fokusimit te puna dhe pasioni. “Nëse i dëgjon kritikat, je i humbur. Ka kritika konstruktive dhe të tjera që të ‘vrasin’. Është pjesë e lojës. Duhet të përqendrohesh tek ata që të duan dhe te pasioni për futbollin”, u shpreh Ronaldo.
Ai shtoi se për një karrierë të gjatë është e rëndësishme përgatitja mendore dhe aftësia për të përballuar presionin, duke theksuar se kritikat janë pjesë e pandashme e futbollit dhe e jetës së një sportisti të nivelit të lartë.