‘Dorëheqje, dorëheqje!’/ Protestuesi: Fundi i tranzicionit nis me largimin e Lukashenkos së Shqipërisë

Një prej folësve në protestën e 36-të qytetare para Kryeministrisë e krahasoi kryeministrin Edi Rama me presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko, duke e cilësuar atë si "autoritarin e fundit të Europës" dhe "Lukashenkon e Shqipërisë".

Ai u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë rezistencën deri në largimin e qeverisë.

Në fjalën e tij, protestuesi kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike për organizimin e proceseve demokratike, ndërsa theksoi se diaspora do të mbështesë protestat deri në realizimin e këtij objektivi.

Protestuesi: Motra dhe vëllezër, kënaqësi t'ju shikoj sërish të gjithë në shesh, duke demonstruar që jemi bashkë pa dallime politike, pa asnjë dallim. Të gjithë së bashku kundër klikës, të gjithë së bashku kundër autoritarit të fundit të Evropës, kundër Lukashenkos së Shqipërisë, Edi Rama.

Ne mos u gaboni, jemi për më shumë se një betejë këtu. Nuk kërkojmë as më shumë dhe as më pak, por fundin e tranzicionit dhe procese demokratike!

Ndaj, dëgjojeni dhe binduni zërit të këtyre protestuesve, se ka gjëmuar nga Australia, në Shtetet e Bashkuara dhe në çdo qytet të Shqipërisë. Ndaj, dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje!

Hapi rrugën... hapi rrugën ajkës së Shqipërisë! Hapi rrugën më të mirës, pjesës më të mirë që ka kombi, që të krijojmë një qeveri teknike, që ta mandatojmë, që të realizojë proceset demokratike. Ato çfarë nuk i realizuam në vitin 1991, t'i realizojmë në 2026-ën!

Unë dua t'ju garantoj juve, në emër të diasporës, se Shqipëria është gur i shtrenjtë në zemrat tona dhe do jemi këtu me ju, deri sa ta rrëzojmë!

Ndaj ju bëj thirrje, kjo protestë është protesta më e bukur e 36 viteve post-komunizëm. Sepse këtu ju të gjithë së bashku jeni jo vetëm kundër Edi Ramës, por jeni kundër establishmentit që mban peng zhvillimin kombëtar, zhvillimin e atdheut! Ndaj, ju lutem qëndroni, rezistoni! Të bashkuar, diaspora është me ju, do jetë me ju deri në realizimin e proceseve demokratike! Ju faleminderit!