‘Më goditën me grushte…, na lanë pa ndihmë mjekësore’/ Albion Nikolli pas lirimit: Më arrestuan pa asnjë provë

Protestuesi Albion Nikolli ka rrëfyer për gazetarin e SYRI TV, Fatjon Gjinaj, përvojën e tij pas lirimit nga blloku i sigurisë në Mine Peza, ku qëndroi për tre ditë pas arrestimit gjatë protestës.

Nikolli deklaroi se akuzohet për kundërshtim të forcave të policisë, akuzë që ai e mohon, duke pretenduar se nuk ka ushtruar asnjë akt dhune ndaj efektivëve. Sipas tij, arrestimi u krye ndërsa ai po kërkonte informacion për një protestues tjetër dhe ndaj tij u përdor dhunë fizike.

Gjatë intervistës, ai pretendoi gjithashtu se protestuesve të ndaluar nuk iu ofrua ndihmë mjekësore dhe as ekspertizë mjeko-ligjore, pavarësisht dëmtimeve të marra, ndërsa theksoi se në seancën gjyqësore nuk u paraqitën prova filmike që, sipas tij, të mbështesnin akuzat ndaj tij.

Intervista për gazetarin e SYRI-t, Fatjon Gjinaj:

Gjinaj: Më thoni të lutem, si quheni?

Protestuesi: Unë jam Albian Nikolli, jam aktivist dhe protestues.

Gjinaj: Keni qëndruar për sa kohë në komisariat?

Protestuesi: Komisariat kemi qëndruar për tre ditë, kjo është dita që u liruam. Jemi akuzuar, unë personalisht jam akuzuar për kundërshtim të forcave të policisë, edhe pse nuk kam kundërshtuar, nuk kam bërë asnjë gjest të dhunshëm ndaj forcave të policisë. Përkundrazi, vetëm kemi kërkuar informacion nga efektivët e policisë për një protestues që ishte Ernest Bardhi dhe na u tha që është dhunuar barbarisht. Kërkuam informacion dhe u përballëm edhe ne me një dhunë po aq barbare.

Gjinaj: Si ishte trajtimi në komisariat, në bllokun e sigurisë?

Protestuesi: Trajtimi në komisariat... domethënë në komisariat ne kërkuam ndihmë mjekësore për plagët që kishim marrë, nuk na është ofruar. Kërkuam ekspertizën mjeko-ligjore për të cilën kishte një urdhër të oficerit të policisë gjyqësore, gjë që nuk u bë kurrë. Pastaj u shoqëruam në bllokun e sigurisë. Nuk mund të ankohem për trajtim të keq në bllokun e sigurisë, ishte shoqërim, jo izolim, i yni aty, por e gjithë procedura, nga arrestimi, që për mendimin tim është i paligjshëm, dhe deri tek shpallja e gjyqit, për mua ishte surreale dhe totalisht e paligjshme, sepse jemi akuzuar për diçka të paqenë.

Gjinaj: Çfarë mase caktoi gjykata ndaj jush sot?

Protestuesi: Për ne caktoi masën detyrim paraqitje.

Gjinaj: Për çfarë ju akuzoi?

Protestuesi: Na akuzoi për kundërshtim të forcave të policisë, mua personalisht.

Gjinaj: Për gjendjen shëndetësore... përmendët gjendjen shëndetësore që nuk ju ofrua trajtim mjekësor. Jeni ju nga personat që keni patur lëndime ose...?

Protestuesi: Po, jam një ndër personat që kam patur dëmtime në kokë, në trup, dëmtime të dukshme. Të them të drejtën, ka persona që janë të dëmtuar akoma më shumë dhe nuk dua të viktimizohem. Ka patur një person epileptik, Nikoll Çarkaj, që nuk ka marrë ndihmën mjekësore. Domethënë ishte e gjitha një situatë... asnjërit nuk i është dhënë ndihma mjekësore, asnjërit nuk i është dhënë ekspertiza mjeko-ligjore.

Gjinaj: Rikthehemi shkurtimisht tek momenti i shoqërimit. Ka ndodhur pas hedhjes së gazit?

Protestuesi: Po, po, ishte momenti kur çdo gjë kishte mbaruar, hedhja e gazit kishte mbaruar, shoqërimi kishte mbaruar. Ne shkuam të kërkojmë informacion dhe nuk ishim as pjesë e asaj sepse ishim nga ana tjetër, nga ana e Toptanit duke protestuar, dhe u përballëm me një dhunë që as dinim ta shpjegonim nga po vinte.

Gjinaj: Personalisht, çfarë kundërshtimi i keni bërë akuzës në gjykatë dhe çfarë keni për të thënë publikisht lidhur me veprimet që pretendon policia se keni kryer?

Protestuesi: Personalisht kam thënë që nuk kam kryer asnjë veprim të dhunshëm ndaj policisë së shtetit. Nuk kam kundërshtuar në asnjë moment veprimtarinë e policisë së shtetit. Ndaj meje nuk është thënë kurrë "ndal" apo diçka, është thënë vetëm "kape këtë person" dhe vetëm kam parë efektivë të policisë që më kapnin nga krahët, godisnin me grushte, më shtrinin në tokë dhe më godisnin me shkelma.

Gjinaj: Kishte pamje filmike apo prova që t'ju fajësonin?

Protesutesi: Jo, nuk kishte pamje filmike. Në gjykatë nuk janë paraqitur prova filmike kundër nesh.

Gjinaj: Faleminderit.

Protestuesi: Faleminderit ju.

Pamjet e arrestimit të paligjshëm të protestuesit Albion Nikolli te protesta e 2 korrikut te Parlamenti