Vinícius Júnior gjeneron miliona nëpërmjet reklamave gjatë Botërorit 2026

Vinícius Júnior është një nga figurat kryesore të Brazilit në Kupën e Botës 2026, jo vetëm për paraqitjet e tij në fushë, por edhe për ndikimin e madh në tregun e reklamave. Sulmuesi i Real Madridit është lojtari më i kërkuar i kombëtares braziliane, madje edhe përpara Neymarit, duke u shndërruar në një imazh me shtrirje globale që i sjell kontrata milionëshe.

Protagonizmi i tij në fushë, me katër gola në katër ndeshjet e para të Botërorit 2026, vetëm sa ka forcuar statusin që ai ka ndërtuar ndër vite. Vinícius ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara me 19 kontrata me marka globale, që kapin vlerën rreth 30 milionë euro në reklama, sipas “Globo Esporte”.

Nga 19 marrëveshje tregtare, 18 janë afatgjata dhe shtrihen përtej Botërorit, ndërsa vetëm gjashtë janë firmosur në afërsi të turneut. Një bashkëpunim i veçantë është edhe ai me Apple, duke u bërë futbollisti i parë që lidh imazhin e tij me këtë kompani gjigante teknologjike.

Menaxhimi i imazhit të tij drejtohet nga “Roc Nation Brazil”, kompani e themeluar nga reperi i njohur Jay-Z, e cila synon ta shndërrojë Viníciusin në një figurë globale përtej futbollit.

Suksesi i tij komercial lidhet ngushtë edhe me ndikimin në rrjetet sociale. Pak para Botërorit, ai nënshkroi një marrëveshje me TikTok-un, ku është një nga krijuesit më të ndjekur të përmbajtjes. Në Instagram ai numëron 62.3 milionë ndjekës dhe gjatë vitit 2026 ka qenë vazhdimisht në top-3 e llogarive me më shumë ndërveprim në Brazil.