Finale dramatike në Silverstone: Leclerc rikthehet te fitorja, Antonelli pa pikë

Në Silverstone ndodhi gjithçka në dhjetë xhirot e fundit të garës. Charles Leclerc arriti një fitore të madhe, duke lënë pas George Russell, i cili u detyrua të bënte një ndalesë shtesë për shkak të një shpimi të ngadalshëm të gomës, si dhe shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton, i cili u ndëshkua me pesë sekonda për lëvizje të parakohshme para fikjes së semaforit në start dhe është gjithashtu nën hetim për një shkelje gjatë periudhës së flamujve të verdhë.

Gara u ndikua fuqishëm nga një incident i Kimi Antonelli-t, i cili po ndiqte Leclerc-un, por pësoi një problem teknik dhjetë xhiro para finishit pas një goditjeje të fortë në bordurën e kthesës së nëntë. Edhe pse arriti ta përfundonte garën, ai u penalizua për kufijtë e pistës dhe nga vendi i nëntë përfundoi i gjashtëmbëdhjeti, duke dalë jashtë zonës së pikëve. Ndërkohë, Max Verstappen u detyrua të tërhiqej pas një daljeje nga pista, gjashtë xhiro para fundit, kur ishte në vendin e tretë.

Dalja e tij solli aktivizimin e makinës së sigurisë, e cila e mbylli garën deri në fund, ndërsa strategjitë në bokse ndryshuan renditjen, duke bërë që Russell të kalonte Hamiltonin dhe t’i hiqte Ferrarit mundësinë e një ‘dopiete’. Për Leclerc, kjo ishte fitorja e nëntë në karrierë dhe e dyta për Ferrarin këtë sezon, pas triumfit të Hamiltonit në Barcelonë. Për skuadrën italiane, kjo ishte edhe fitorja e 250-të në historinë e Kampionatit Botëror të Formula 1.

Klasifikimi për pilote dhe konstruktorë