Barcelona rikthen interesimin për Leaon, Flick e sheh si alternativë të Rashfordit

Rafael Leao është rikthyer në ‘radarët’ e Barcelonës. Paraqitja e shkëlqyer e sulmuesit portugez në Botërorin 2026, në ndeshjen Portugali–Kroaci, ku dha edhe një asist për Gonçalo Ramosin, ka bërë që drejtuesit e klubit katalanas ta rishqyrtojnë mundësinë e transferimit të tij.

Sipas raportimeve të medieve spanjolle, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e ka pëlqyer Leaon edhe gjatë dy merkatove të fundit, megjithëse nuk u ndërmorën hapa konkretë për ta transferuar. Në verën e vitit 2024 ai shihej si alternativë ndaj Nico Williams-it, ndërsa një vit më vonë ishte pjesë e listës së dëshirave së bashku me Luis Diaz-in dhe Marcus Rashfordin.

Në atë periudhë, Barcelona vendosi të përqendrohej te Rashfordi, kryesisht për arsye ekonomike, duke preferuar një huazim në vend të një investimi të madh. Tani situata duket ndryshe, pasi marrëdhëniet mes Leaos dhe Milanit janë ftohur dhe portugezi nuk konsiderohet pjesë e planeve të klubit italian për të ardhmen.

Megjithatë, Milani kërkon nga 60 deri në 70 milionë euro për kartonin e 27-vjeçarit, një shifër që Barcelona e konsideron të lartë. Katalanasit kanë hezituar edhe për blerjen përfundimtare të Rashfordit për rreth 30 milionë euro, ndaj për momentin do të tentonin transferimin e Leaos vetëm nëse Milani do të pranonte një formulë huazimi me të drejtë blerjeje.

Përveç Barcelonës, interesim për portugezin kanë shfaqur edhe Tottenhami, i drejtuar nga Roberto De Zerbi, si dhe disa klube nga Arabia Saudite. Merkatoja verore mbetet e hapur dhe e ardhmja e Leaos pritet të jetë një nga temat më të nxehta të javëve në vijim.