‘Rama jepe dorëheqjen’/ Vijon lirimi i protestuesve të arrestuar padrejtësisht, qytetarët i presin si heronj

Pasditen e sotme ka vijuar lirimi i protestuesve të arrestuar pas tensioneve dhe dhunës policore të ushtruar ndaj qytetarëve ditën e enjte, ku me dhjetëra qytetarë i kanë pritur si heronj me thirrjet 'Rama jepe dorëheqjen'. 

Gjykata e Tiranës shpalli sot verdiktin për 19 protestuesit që u arrestuan pas përplasjes me policinë në tubimin e 2 korrikut.

Për protestuesit Everest Bardh dhe Ervin Gega u caktua masa e arrestit në shtëpi, pavarësisht se prokuroria kërkoi arrest me burg për ta, duke argumentuar se kishin kryer akte dhune duke shkatërruar makinën e policisë.

Ndërsa Altin Hila, babai që u bë simbol i protestës, pasi shfaqej bashke me fëmijën e sëmurë u la i lirë, edhe pse fillimisht prokurori kërkoi burg, e më vonë e zbuti qëndrimin duke kërkuar arrest shtëpie.

12 protestues u lanë nën masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa 5 të tjerë u liruan pa masë sigurie.