Arkivoli politik në protestë/ Rama shkruan një reagim, me duar që i dridhen
Një ditë pasi protestuesit nxorën në bulevard arkivolin me mbishkrimin “Arkivoli politik i Edi Ramës”, kryeministri duket se është gëlltitur nga ankthi teksa shkruan reagimin e tij të parë mbi ngjarjen.
Rama, i cili deri dje i përshkruante protestat si lëvizje të orkestruara nga kundërshtarët politikë, këtë herë (për herë të parë) zgjedh të zbutet plotësisht me protestuesit dhe të pranojë se ata nuk kanë qenë gabim kur kanë dalë në shesh.
“Nuk është qëllimi im t’ju bëj të ndjeheni se ishit gabim… Sepse jo, ju nuk ishit aspak gabim kur u ndjetë të zënë në një kurth problemesh më të mëdha se sa fuqia juaj për t’i zgjidhur,” shkruan Rama.
Statusi i gjatë i kryeministrit iu mbivendos një videoje, ku ai krahason arkivolin që protestuesit nxorën dje në protestën e madhe me arkivolin e Azem Hajdarit në vitin 1998. Një krahasim i rëndë, përmes të cilit Rama tenton ta paraqesë simbolikën e protestës si kërcënim ndaj institucioneve.
“20 vjet më parë arkmorti u përdor për të ngjitur shkallët e kështjellës së kryeministrisë dhe i vdekuri u bë mish për top, duke i rënë portës së saj si dikur në mesjetë, për të hedhur poshtë qeverinë,” shkruan kryeministri.
Por pas këtij krahasimi, Rama duket se tërhiqet nga sulmi i drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve. Ai i quan protestuesit “flamingo” dhe përpiqet t’i ndajë nga opozita, media kritike, diaspora dhe çdo aktor tjetër që sipas tij ka ndikuar në protestë.
“Të dashur flamingo, kjo video-kartolinë e trishtueshme është bërë për ata ndër ju që njëzet vjet më parë ishin fëmijë ose ende embrion në barkun e nënës,” shkruan Rama.
Megjithëse pranon se protesta nisi nga pakënaqësi reale, kryeministri përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga kërkesa kryesore e qytetarëve, largimi i tij. Në vend që t’i japë përgjigje revoltës popullore, Rama e përshkruan protestën si të kapur nga “duar armiqsh” dhe nga aktorë që duan ta kthejnë Shqipërinë pas.
“Po, ishte krejt i pritshëm për mua. Sepse nuk është as e para dhe as e fundit Shqipëria, ku duar të stërvitura armiqsh e dashakëqinjsh ndaj shoqërive demokratike… futen, marrin nën kontroll e bëjnë çmos të devijojnë në dëm të këtyre shoqërive,” shkruan ai.
Në vahzdim të reagimit, Rama sulmon ashpër kundërshtarët politikë, duke përdorur një fjalor fyes ndaj atyre që, sipas tij, i janë bashkuar protestës për interesa politike.
“Pas hutimit të fillimit, hynë në lojë edhe ujqit e lodhur të Rrugës së Shpresës, që për t’u maskuar si patriotë i dhanë hov tregtisë së qelesheve në mes të vapës,” shkruan Rama.
Kryeministri nuk kursen as diasporën shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke e akuzuar se ka parë te protesta një mundësi për të ndezur urrejtje ndaj Tiranës zyrtare.
“U mobilizuan edhe çakenjtë e ‘diasporës’ nga Prishtina e nga Tetova, të cilët panë në bulevard vatrën e shumëpritur për benzinën e tyre të urrejtjes ndaj Tiranës zyrtare,” shkruan ai.
Megjithatë, thelbi i reagimit është i qartë, Rama kërkon t’u thotë protestuesve se protesta nuk është më e tyre. Pas goditjes simbolike që mori me arkivolin politik në bulevard, kryeministri tenton të shkëpusë qytetarët nga protesta dhe ta delegjitimojë atë si lëvizje të marrë peng.
“Sot ka një gjë kryesore për të thënë. Ajo protestë nuk është më e juaja të dashur flamingo!” shkruan Rama.
Por ky mesazh vjen pikërisht pasi protesta ka hyrë në një fazë të re, ku qytetarët nuk mjaftohen më me denoncime, por kërkojnë largimin politik të kryeministrit. Arkivoli i djeshëm në bulevard, me mbishkrimin “Arkivoli politik i Edi Ramës”, duket se ka goditur aty ku dhemb më shumë dhe i ka bërë që duart t'i dridhen kur shkruan reagimin.
Në fund, Rama përpiqet ta mbyllë reagimin me një ton moralizues për kujtesën dhe historinë, por në fakt statusi i tij tregon shqetësimin e qartë të kryeministrit për përmasat dhe simbolikën që ka marrë protesta.
“Kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon,” përfundon Rama, i cili duket qa i hutuar sa një ngjarje të para 28 viteve (1998) e etiketon si një episod të para 20 vjetëve./ lapsi/