Kaos te Senegali, ish-futbollisti Paul Keita akuzon Nicolas Jackson-in: Ishte i dehur gjatë Botërorit

Eliminimi dramatik i Senegalit nga Belgjika në Kupën e Botës 2026 është pasuar nga një polemikë e madhe, pasi ish-futbollisti senegalez Paul Keita ka hedhur akuza të rënda ndaj sulmuesit Nicolas Jackson.

Keita pretendoi se futbollisti kishte probleme serioze me alkoolin gjatë turneut, duke lënë të kuptohet se kjo ndikoi edhe në paraqitjet e tij me përfaqësuesen.

"Jackson ishte aq i dehur gjatë Botërorit, sa nuk arrinte të stërvitej", deklaroi ish-lojtari, duke shkaktuar reagime të shumta në mediet sportive dhe rrjetet sociale.

Nicolas Jackson reagoi menjëherë përmes një postimi në "Instagram", ku i mohoi kategorikisht akuzat dhe i cilësoi ato si të pavërteta.

"Po shoh çfarë po thuhet për mua. Është e gjitha e rreme. Nuk konsumoj alkool dhe nuk kam konsumuar kurrë. E dua shumë këtë fanellë dhe i respektoj shumë shokët e skuadrës për t'u sjellë në mënyrë joprofesionale", shkroi sulmuesi i Senegalit.

Më pas ai iu drejtua drejtpërdrejt akuzuesit të tij me një mesazh të ashpër.

"Ndalo së gënjyeri, idiot. Askush as nuk e di që ke luajtur për vendin tonë. Je një ish-lojtar i Senegalit dhe po gënjen për futbollistët. Përqendrohu te karriera jote në vend që të thuash se unë konsumoj alkool", përfundoi Jackson.

Për momentin, Federata e Futbollit e Senegalit nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me këto akuza, ndërsa polemika vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes pas përfundimit të aventurës së kombëtares në Botërorin 2026.