Masat e sigurisë për protestuesit e ndaluar/ Avokati: Arresti i tyre i paligjshëm, s’është në mënyrë proporcionale

Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj personave të ndaluar gjatë protestave është shoqëruar me tensione të forta dhe të papritura brenda ambienteve të gjykatës.

Organi i akuzës dhe policia kanë paraqitur procesverbale dhe pamje filmike shtesë, të cilat synojnë sipas tyre të faktojnë dhunën e ushtruar ndaj mjeteve të policisë dhe efektivëve të rendit.

Megjithatë, mbrojtja ligjore ka mbajtur një qëndrim të unifikuar kundër këtyre pretendimeve. Të gjithë avokatët e pranishëm kanë kundërshtuar ashpër kërkesat e prokurorisë, duke kërkuar shpalljen e arrestimeve të paligjshme dhe mosdhënien e asnjë mase sigurie.

Argumenti kryesor i ngritur nga mbi 20 avokatët mbrojtës bazohet në mosplotësimin e kritereve ligjore të përcaktuara në nenet 228 dhe 229 të Kodit të Procedurës Penale, duke e cilësuar mbajtjen e protestuesve në qeli si tërësisht disproporcionale.

Sakaq njëri prej protestuesve të ndaluar ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore, duke detyruar gjyqtarin të pezullojë urgjentisht seancën. Për shkak të mbipopullimit të sallës, ku ndodheshin të ndaluarit dhe rreth 24 avokatë, kushtet kanë qenë tejet të vështira.

Ekipet e emergjencës mjekësore kanë ndërhyrë me shpejtësi nga dy drejtime të ndryshme të gjykatës për të ofruar ndihmën e parë. Pas marrjes së mjekimit të nevojshëm, protestuesi është rikthyer në sallën e gjyqit.

Aktualisht, trupa gjykuese nuk ka dhënë ende një orar të saktë se kur do të shpallë vendimin përfundimtar për masat e sigurisë, duke lënë gjithçka në pezull.

Me pretendimin se kishin ardhur dhe procesverbale të tjera nga komisariatet e policisë dhe pamje filmike... për të cilat tregonin se kishte dhunë të tepruar në... si në mjetet e policisë po ashtu dhe në efektivët e forcave të rendit. Gjë që unë nuk jam, nuk jam avokati i këtyre personave, me thënë të drejtën ndoshta avokatët e këtyre do t'ju japin shpjegime të mëtejshme, por që të gjithë avokatët në mënyrë unanime kërkuan që mos të ketë asnjë lloj mase sigurie dhe arresti të jetë i paligjshëm, sepse nuk plotëson asnjë lloj nga kriteret e përcaktuara nga neni 228, 229... Po të gjithë folën dhe ju la domethënë koha e nevojshme dhe të gjithë pretenduan domethënë që arresti i tyre është i paligjshëm dhe nuk është në mënyrë proporcionale.

Atëherë, në dijeninë time megjithëse ju e dini që kushtet në të cilat neve ishim sot ishin kushte të vështira për arsye se përveç personave të ndaluar, ne ishim dhe mbi 23 apo 24 avokatë, nuk e pashë mirë, unë e dëgjova atë, por ajo ndihma mjekësore e nevojshme i ka ardhur që në momentet e para. Dhe ndërkohë është pezulluar gjykimi, dhe gjyqtari i seancës së masës së sigurimit personal e ka pezulluar në moment gjykimin dhe kanë ardhur ambulancat për të cilën... unë i kam parë forcat që u futën, domethënë pjesëtarët e ekipit të ambulancës, që u futën nga të dyja drejtimet, edhe nga salla këtu, edhe nga salla nga jashtë. Kështu që mendoj... por ai është rikthyer prapë në sallën e gjyqit, kështu që mendoj që gjendja e tij shëndetësore mund të jetë e rikuperueshme.