SYRI TV/ Jehona në mediat botërore - BBC: Protestë masive kundër Ramës - Reuters: Shqiptarët kundër qeverisë
Mediat ndërkombëtare si BBC, Associated Press, The Washington Post, Deutsche Welle dhe prestigjiozja Der Spiegel i kanë bërë jehonë protestës së 35-të mbarëkombëtare të zhvilluar në Tiranë, duke i cilësuar si një nga lëvizjet më të mëdha qytetare të kohëve të fundit kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes. Ato theksojnë se protestat kanë rritur ndjeshëm presionin politik mbi kryeministrin Edi Rama i cili po përballet me kërkesa të vazhdueshme për dorëheqje dhe pakënaqësi të thellë ndaj qeverisjes së tij.
Syri tv
Protesta e së shtunës në Tiranë ka marrë sërish një vëmendje të veçantë nga mediat prestigjioze botërore tè cilat e konsideruan tubimin si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të muajve të fundit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që mbushën bulevardin kryesor dhe Sheshin Skënderbej., Në tubim morën pjesë edhe shumë emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë, të cilët iu bashkuan protestës në shenjë solidariteti. Gjatë marshimit kërkesa kryesore ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, lufta kundër korrupsionit dhe ndryshim të mënyrës së qeverisjes së vendit. Protesta u zhvillua kryesisht në mënyrë paqësore, megjithëse në përfundim pati tensione dhe përplasje të izoluara pranë një komisariati policie.
Sipas BBC, protestat e njohura si Revolucioni i Flamingove janë shndërruar në një lëvizje të gjerë kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes. Media britanike thekson se mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar qeverinë për mungesë transparence, abuzim me pushtetin dhe neglizhencë ndaj problemeve të arsimit, shëndetësisë, punësimit dhe standardit të jetesës, ndërsa shprehin pakënaqësi për drejtimin që po merr zhvillimi i vendit.
Agjencia amerikane Associated Press e përshkroi protestën si natën e 35-të radhazi të demonstratave në Tiranë ku dhjetëra mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, zëvendësimin e përkohshëm të qeverisë, reforma kushtetuese dhe një luftë më të vendosur kundër korrupsionit.
The Washington Post raporton se mijëra qytetarë protestojnë çdo ditë në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e Ramës, të cilin e akuzojnë për korrupsion, klientelizëm dhe vendimmarrje në favor të interesave të ngushta dhe investitorëve të huaj, ndërsa qeveria përballet me pakënaqësi të thellë për mënyrën e qeverisjes dhe mungesën e transparencës.
Sipas Deutche Welle, kryeministri Edi Rama po përballet me presionin më të madh politik të mandatit të tij, pasi prej më shumë se një muaji mijëra qytetarë protestojnë çdo ditë në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e tij. Demonstruesit e akuzojnë qeverinë për korrupsion, klientelizëm dhe vendimmarrje në favor të ruajtjes së pushtetit dhe interesave të investitorëve, në dëm të interesit publik, ndërsa gjatë tubimeve dëgjohen vazhdimisht thirrjet Rama, dorëhiqu!
Edhe revista gjermane Der Spiegel vëren se protestat janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë politike dhe qytetare. Sipas revistës, demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe keqmenaxhim të vendit, ndërsa raportohen edhe përplasje me policinë dhe kërkesa për lirimin e të arrestuarve gjatë protestave të fundit.