Uraniumi iranian nën vëzhgim të kufizuar/ Ekspertët: Kontrolli gjithëpërfshirës është i mundur, por bllokohet nga politika
Marrëveshja Iran-SHBA synon të mundësojë kontroll ndërkombëtar të programit bërthamor. Ekspertët vlerësojnë se verifikimet gjithëpërfshirëse janë teknikisht të realizueshme. Por, në aspektin politik ka ende dyshime.
Rafael Grossi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), shprehet optimist se agjencia e tij do të rifillojë së shpejti inspektimet në impiantet bërthamore iraniane. Sipas tij, kjo parashikohet në marrëveshjen kornizë të arritur së fundmi mes SHBA-së dhe Iranit. Është ende e paqartë se kur do të ndodhë saktësisht kjo.
“Por do të ndodhë. Nëse ndodh pasnesër, javën tjetër apo pas dhjetë ditësh, është një çështje e rëndësishme, por jo thelbësore.”
Megjithatë, qeveria eIranit tregohet dukshëm më e rezervuar. Zëvendësministri i Jashtëm Kasem Gharibabadi deklaroi se çështja e inspektimeve ndërkombëtare dhe e aksesit në objektet bërthamore të goditura mund të shqyrtohet vetëm në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare me SHBA-në dhe pas përparimit në heqjen e sanksioneve.Edhe ambasadori iranian pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë ka theksuar se Teherani ende nuk ka dhënë pëlqimin për rikthimin e inspektorëve të IAEA-së.
Pengesa politike
Ekspertët thonë se, nga pikëpamja teknike, një kontroll gjithëpërfshirës është i mundur. Megjithatë, pengesat politike mbeten të mëdha.
“Pasurimi i uraniumit zhvillohet në instalime industriale të mëdha dhe të dukshme”, thotë radiokimisti Georg Steinhauser nga Universiteti Teknik i Vjenës në një intervistë për DW. “Prandaj nuk mund të imagjinohet që dikush të ndërtojë fshehurazi një bombë atomike në një bodrum dhe t’u tregojë inspektorëve vetëm katin përdhes gjatë një kontrolli.”
Pasurimi i uraniumit është një proces jashtëzakonisht kompleks teknik dhe industrial, që kërkon objekte gjigante dhe mijëra centrifuga. Pikërisht për këtë arsye, një program i tillë mund të mbikëqyret relativisht mirë.
Edhe politologu Hessam Habibi Doroh nga Instituti për Ruajtjen e Paqes dhe Menaxhimin e Konflikteve (IFK) në Vjenë e konsideron deklaratën jo detyruese të synimeve mes Iranit dhe SHBA-së si një hap pozitiv. “Pozitive është që gatishmëria për inspektime dhe për më shumë transparencë po rikthehet sërish në qendër të debatit në Iran”, tha ai për DW.Megjithatë, ai thekson se ekzistojnë rezerva të forta politike. Një ligj i miratuar nga parlamenti iranian ka kufizuar ndjeshëm bashkëpunimin me IAEA-në. “Në parlament ka aktualisht zëra me ndikim që kundërshtojnë inspektimet e gjera”, thotë Habibi Doroh.
Uranium i pasuruar në nivel të lartë
IAEA raporton se problemi kryesor aktual nuk është mungesa e mundësive teknike. Që nga sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025, agjencia nuk ka mundur të inspektojë asnjë nga impiantet kryesore të pasurimit të uraniumit.
Aktualisht monitorimi mbështetet kryesisht në imazhe satelitore. Për këtë arsye, IAEA nuk mund të verifikojë nëse Irani e ka ndërprerë pasurimin e uraniumit. Po ashtu, agjencia nuk ka informacion të besueshëm mbi vendndodhjen e rezervave ekzistuese të uraniumit apo numrin e centrifugave ende në funksion.
Sipas të dhënave të IAEA-së, Irani vazhdon të zotërojë rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në afërsisht 60 për qind. Ekspertët vlerësojnë se kjo sasi, pas një pasurimi të mëtejshëm deri në 90 për qind, mund të mjaftonte për prodhimin e disa armëve bërthamore.
Irani mohon se synon të zhvillojë armë bërthamore dhe këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile.
A do të lejojë Irani akses të plotë?
Sipas Steinhauser, çështja vendimtare nuk është mundësia teknike e kontrollit, por niveli i aksesit. “Nëse Irani lejon akses të plotë në impiantet bërthamore, mund të përcaktohet me siguri të madhe nëse një vend ndjek një program bërthamor civil apo ushtarak”, shpjegon ai.
Shqetësimi kryesor është mundësia që jo të gjitha objektet të deklarohen ose të lejohen për inspektim.
Edhe Habibi Doroh mendon se një kontroll i plotë është i mundur, por kjo do të kërkonte rikthimin në një marrëveshje me SHBA-në të ngjashme me marrëveshjen e vitit 2015, të njohur si Joint Comprehensive Plan of Action (JCPOA).
Kjo marrëveshje, e arritur me ndërmjetësimin e vendeve evropiane, i kishte dhënë IAEA-së të drejta të gjera inspektimi dhe konsiderohej për një kohë të gjatë si sistemi më i avancuar i kontrollit të një programi bërthamor kombëtar në botë. Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga JCPOA në maj 2018 gjatë mandatit të tij të parë.
“Nëse do të riktheheshin mekanizma të ngjashëm kontrolli dhe monitorimi, një mbikëqyrje gjithëpërfshirëse do të ishte e mundur”, thotë Habibi Doroh. Megjithatë, sipas tij, mbetet e paqartë nëse udhëheqja politike në Teheran është ende e gatshme të bëjë lëshime të tilla.
Në disa qarqe politike dhe të sigurisë po diskutohet hapur nëse Irani, përballë konflikteve të fundit ushtarake, duhet të zgjerojë dhe jo të kufizojë opsionet e tij bërthamore.
Autorët e një analize të fundit deklarojnë se IAEA “praktikisht e ka humbur kontrollin mbi programin bërthamor iranian”. Sipas tyre, agjencia nuk mund të verifikojë me besueshmëri sasinë e uraniumit, vendndodhjen e tij apo gjendjen e impianteve iraniane të pasurimit.
Ndërkohë, ekspertët e Carnegie Endowment for International Peace paralajmërojnë të mos nënvlerësohen kapacitetet teknike të Iranit pas sulmeve. Edhe pse pjesë të mëdha të infrastrukturës së njohur janë dëmtuar, nuk mund të përjashtohet rindërtimi i mëvonshëm ose zhvendosja e disa aktiviteteve në objekte më të vogla dhe të fshehta.“Një impiant industrial për pasurimin e uraniumit është shumë i vështirë për t’u fshehur”, thotë Georg Steinhauser. Këto objekte janë të mëdha, teknikisht komplekse dhe lënë gjurmë të pashmangshme për inspektorët në terren.
Kjo mbetet e vërtetë edhe kur përpiqet të fshihet një pjesë e programit. Prandaj, nëse komuniteti ndërkombëtar do të jetë në gjendje t’i ndjekë sërish këto gjurmë në të ardhmen, kjo do të varet më pak nga aftësitë e inspektorëve dhe më shumë nga gatishmëria politike e Iranit për të lejuar kontrollin e tyre. /DW/