Studimi: Fërkimi i syve mund të çojë në probleme të përhershme të shikimit
Një studim i ri tregoi se, fërkimi i syve mund të japë ndjesi lehtësimi, por në të njëjtën kohë rrit rrezikun për dëmtime të kornesë dhe infeksione, sipas “Science”.
Edhe pse fërkimi i syve shpesh duket i padëmshëm, ai mund të ketë pasoja për strukturën delikate të syrit, veçanërisht për kornene – shtresa e tejdukshme në pjesën e përparme të syrit.
Ky veprim zakonisht nxitet nga alergjitë, thatësia e syve, lodhja ose irritimi.
Për një moment, ai mund të sjellë lehtësim sepse stimulon prodhimin e lotëve dhe aktivizon nervat e ndjeshëm ndaj presionit rreth syrit.
Megjithatë, fërkimi i syve mund të transferojë baktere dhe viruse nga duart drejt syve, duke rritur rrezikun për infeksione si konjuktiviti (infeksioni i syrit).
Kur bëhet me forcë, fërkimi mund të shkaktojë gërvishtje të kornesë, dëmtim të enëve të vogla të gjakut dhe rritje të përkohshme të presionit brenda syrit.
Shqetësimi më i madh lidhet me fërkimin e shpeshtë dhe të fortë në kohë të gjatë.
Studimet e kanë lidhur këtë zakon me keratokonusin – një gjendje ku sipërfaqja e përparme e syrit hollohet dhe deformohet në formë koni, duke shkaktuar shikim të shtrembëruar.
Kjo nuk do të thotë se një fërkim i lehtë i rastësishëm dëmton menjëherë sytë.
Por mjekët theksojnë se fërkimi i shpeshtë, është një zakon që duhet shmangur.
Për të qetësuar irritimin e syve, rekomandohen alternativa më të sigurta, si lotët artificialë, trajtimi i alergjive, kompresat e ftohta dhe kujdesi i duhur për sytë.
Studimi i referuar është një rishikim shkencor, i kryer nga një ekip mjekësh okulistë të udhëhequr nga Dr. Hatim Najmi dhe bashkëautorët e tij, nga institucione mjekësore në Arabinë Saudite.
Ky rishikim u bazua në analizën e 24 studimeve ekzistuese mbi këtë lidhje.
Studimi u botua në revistën shkencore “International Journal of Ophthalmology”, një revistë ndërkombëtare e specializuar në fushën e oftalmologjisë.