‘Lironi çunat tanë’/ Sot marshim tek Gjykata gjatë masave të sigurisë, në mbështetje të protestuesve të arrestuar
Pas protestës madhështore të ditës së djeshme, sot organizatorët, aktivistët dhe qytetarët do të dalin përsëri në shesh në mbështetje të të rinjve të arrestuar më 2 korrik, gjatë seancës plenare të Kuvendi.
Ky marshim do të mbahet para Gjykatës Penale të Tiranës, (që ndodhet pranë SPAK), teksa priten të zhvillohen masat e sigurimit për të arrestuarit në protestë. Policia shoqëroi të paktën 18 persona mes të cilëve 9 i arrestoi. Kjo protestë do të solidarizohet në mbështetje të tyre, teksa organizatorët i cilësojnë arrestime të paligjshme.
Vetë organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe të dielën. Ata kanë bërë thirrje për një marshim para Gjykatës së Tiranës në shenjë solidariteti me protestuesit e arrestuar, të cilët pritet të dalin para gjykatës në orën 09:00 për caktimin e masës së sigurisë.
Protesta e së shtunës erdhi pas tensioneve të shënuara të enjten para Parlamentit, ndërsa brenda zhvillohej seanca plenare. Protestuesit hodhën vezë, gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e tyre.
Pas përfundimit të seancës, protestuesit bllokuan daljet e Parlamentit, duke penguar largimin e deputetëve. Përplasjet vijuan më pas në disa rrugë të Tiranës. Sipas policisë, 18 persona u shoqëruan pas incidenteve, ndërsa të lënduar pati si mes protestuesve, ashtu edhe mes efektivëve të policisë.