Diaspora dhe mijëra qytetarë 'blindojnë' bulevardin, Rama i frikësohet e 'blindon' dyert e Kryeministrisë
Mijëra qytetarë dhe shqiptarë të diasporës janë mbledhur këtë mbrëmje para Kryeministrisë në kuadër të protestës së 35-të të revoltës qytetare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Pjesëmarrja e lartë e protestuesve, e shtuar edhe nga ardhja e emigrantëve shqiptarë nga vende të ndryshme të Europës dhe Shtetet e Bashkuara, duket se i ka shtuar "frikën" qeverisë. Rreth godinës së Kryeministrisë janë vendosur masa të forta sigurie, ndërsa hyrjet kryesore janë blinduar me barriera metalike dhe zona mbahet nën kontroll të shtuar nga forcat e policisë.
Nga pamjet e siguruara nga protesta, bulevardi përballë Kryeministrisë është mbushur me mijëra qytetarë, të cilët mbajnë flamuj kombëtarë, pankarta dhe simbole të protestës, duke përsëritur thirrjet për largimin e qeverisë.
Në protestë janë bashkuar edhe shqiptarë të diasporës, të ardhur nga vende të ndryshme për t'iu bashkuar revoltës qytetare, në atë që organizatorët e cilësojnë si një mobilizim mbarëkombëtar. Sipas tyre, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe hapja e rrugës për ndryshime politike në vend.