Nga SPAK te fitimi i tenderave/ Del në skenë oligarku i ri, Gentian Likaj, që po ‘mund’ peshkaqenët e AKSHI-t

Një emër i ri po qarkullon në fitimin e tenderave në fushën e teknologjisë së informacionit, i cili po arrin që të ‘mund’ edhe peshkaqenët e dosjes së AKSHI-t, me një lehtësi të admirueshme, por prapaskenat tregojnë se pikërisht ai mund të jetë një prestanome, duke vijuar trashëgiminë e tyre.

Bëhet fjalë për Gentian Likajn, i cili brenda një kohe të shkurtër, që nga momenti i shpërthimit të skandalit të tenderave në këtë fushë, ka arritur të bëhet oligarku më i ri.

Sipas dokumenteve dhe informacioneve që ka konsultuar Vox News, Gentian Likaj, ka fituar tendera jashtë AKSHI-t, por të gjitha në fushën e IT-së, teksa në këto dokumente duket mjaft qartë lidhja me biznesmenët që kanë masë sigurie, njëri prej të cilëve Ermal Beqiri, kompania e të cilit futet në tendera, por vetëm formalisht, duke mos bërë asnjë ofertë.

Një skemë e pastër që ka ekzistuar edhe më parë në tenderat e kësaj fushe, por që tashmë bëhet hapur, në dijeninë e të gjithëve.

Sipas dokumenteve që ka siguruar Vox News, në datën 19 qershor 2026, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ka shpallur fituesin e një procedure prokurimi me objekt ‘mirëmbajtje dhe vlerësimi i cënueshmerisë (vulnerabiliteteve), si dhe i ekspozimit kundrejt risqeve kibernetike për të dhënat e sistemeve IT’ me afat për zbatimin e saj 12 muaj.

Dy firma nuk kanë bërë ofertë, e para operatori ekonomik ‘SINTEZA CO’ dhe e dyta ‘SOFT & SOLUTION’. Kompania e dytë është në pronësi të Ermal Beqirit, ndaj të cilit ka një masë sigurie nga SPAK-u, ndërkohë që hetimet vijojnë për një mori tenderash të kryera nga AKSHI.

Në këtë procedurë bëri ofertë kompania ‘ELEKTROSEK’ me vlerë 65 milionë lekë, ndërkohë firma fituese ‘COMMUNICATION PROGRESS’ kishte një ofertë prej rreth 64 milionë lekësh. Por, edhe firma që bëri ofertë, u skualifikua, duke hedhur dyshime të mëdha se e gjithë procedura ka qenë e paracaktuar për firmën e Gentian Likajt. Zyrtarisht shkruajnë se firma u skualifikua për shkak se nuk kishte publikuar bilancet, por në realitet arsyeja mund të jetë kopsitja e letrave që i përshtaten më shumë firmës fituese.

Disa javë para se të fitonte tenderat e radhës, kësaj herë nga OSHEE, pronari i kësaj kompanie, Gentian Lika, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Burime nga SPAK-u bëjnë me dije se emri i tij del në një nga dosjet më të bujshme të kohëve të fundit, atë të AKSHI-t, ku përmendet si përfitues i tenderëve të këtij institucioni.

SPAK po heton rreth 12 procedura tenderimi të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku dyshohet se gara është deformuar qëllimisht për të favorizuar kompani të caktuara, duke kthyer konkurrencën e ndershme në një fasadë dhe tenderët publikë në një tavolinë me fitues të paracaktuar.

Dosja është nën hetim, ku dy ish zyrtarët e AKSHI-t, drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe ish-nëndrejtori Daniel Shima, janë në qendër të kësaj dosje, të cilët po hetohen për disa vepra penale. Këta zyrtarë kanë bashkëpunuar ngushtë me disa firma dhe biznesmenë, ndër të cilët edhe kompania Communication Progress, e cila rezulton të ketë përfituar rreth 20 milionë euro kontrata publike në vitet e fundit, pjesa më e madhe e të cilave lidhen me projekte të AKSHI. /voxnews