SYRI TV/ Diaspora zbarkon në Shqipëri për protestë, kolona të gjata në kufi për protestën e sotme

Sot në Tiranë pritet të mbahet protesta e 35-të radhazi, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa vëmendja kryesore është te fluksi i madh i emigrantëve shqiptarë që po kthehen nga vende të ndryshme të Europës për t’iu bashkuar tubimit. Kolona automjetesh dhe hyrje masive janë regjistruar në pikat kufitare veriore e jugore të vendit, duke shënuar një mobilizim të gjerë mbarëkombëtar.

Tirana pritet të jetë sot epiqendra e një proteste masive, ndërsa vëmendja kryesore është përqendruar te fluksi i diasporës shqiptare që po kthehet nga vende të ndryshme të Europës për t’iu bashkuar tubimit të paralajmëruar në orën 19:00. Prej orëve të para të mëngjesit dhe gjatë ditës së djeshme, në pikat kufitare të vendit janë regjistruar kolona të gjata automjetesh dhe lëvizje të shtuar të qytetarëve shqiptarë që hyjnë nga jashtë vendit.

Ndërkohë, hyrje të konsiderueshme janë vërejtur edhe nga pikat kufitare jugore, ku qytetarë nga Greqia dhe Italia po kthehen drejt Shqipërisë, si dhe nga veriu, përmes Muriqanit dhe Hanit të Hotit, ku raportohet ardhja e emigrantëve nga vende si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika dhe Austria. Sipas organizatorëve, kjo është hera e dytë që emigrantët shqiptarë organizohen në mënyrë të tillë për t’u bashkuar në një protestë në Tiranë, duke e cilësuar si një mobilizim mbarëkombëtar në mbështetje të revoltës së tyre 35-ditore.

Protestuesit pritet të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të artikulohen kërkesat e tyre politike. Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilën e konsiderojnë të panegociueshme.