SYRI TV/ Berisha- Ramës: Jep dorëheqjen, sot është dita e kombit shqiptar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen në prag të protestës kombëtare që mbahet në Tiranë. Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve dhe dënoi dhunën e policisë, të urdhëruar nga Edi Rama, ndaj qytetarëve që protestuan para Kuvendit.

Në prag të protestës kombëtare, të thirrur para Kryeministrisë, ku shqiptarët do të kërkojnë sërish largimin e Edi Ramës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen. Lideri i opozitës e cilësoi këtë protestë si një ditë të madhe për kombin.

Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, Berisha u ndal edhe te rezoluta e Partive Popullore Evropiane, që mbështet PD-në dhe protestën e qytetarëve, duke theksuar se kjo rezolutë, që bën thirrje për një qeveri teknike dhe për zgjedhje të lira, është një pasqyrë e plotë e situatës në Shqipëri.

Berisha dënoi dhunën brutale policore ndaj protestuesve dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.

Lideri demokrat përshëndeti kërkesën e Kongresit Amerikan për nisjen e një hetimi për lidhjet e qeverisë Rama me trafikun e drogës, duke theksuar se ka prova dhe fakte të pakundërshtueshme që dëshmojnë përfshirjen e kryeministrit dhe vëllait të tij në trafikun e drogës.

I pyetur nga qytetarët për organizimin e partisë, Berisha theksoi se edhe fazat e tjera të përzgjedhjes së nënkryetarëve dhe sekretariatit do të bëhen në frymën e Kuvendit Kombëtar për ripërtëritje.

Ndërsa qytetarët ngritën pikëpyetje edhe për çështjen e sistemit zgjedhor, kreu demokrat deklaroi se është gati të votojë listat e hapura.