SYRI TV/ 100 milionë euro për asfalt elektoral, Bashkitë socialiste zgjidhin qesen para zgjedhjeve lokale

Teksa raportet ndërkombëtare dhe OSBE-ODIHR denoncojnë përdorimin e fondeve për fushatë Edi Rama duket se nuk tërhiqet. Vetëm për asfalt elektoral, para zgjedhjeve lokale 2027, qeveria e Edi Ramës ka akorduar plot 100 milionë euro. Nga vëzhgimi i fondeve, rezultojnë se ato janë shpërndarë në bashkitë socialiste, dhe janë planifikuar që të përfundojnë deir në fund të vitit 2026, për të shmangur dhe kapjen e këtyre shpenzimeve në periudhë elektorale.

SYRI TV

Në tre muajt e fundit, bashkitë, të kontrolluara në shumicë absolute nga Partia Socialiste, kanë prokuruar rreth 50 milionë euro për asfaltimin e rrugëve të ndryshme, ndërkohë që vendi është pak muaj para zgjedhjeve lokale, të parashikuara për në pranverën e vitin 2027.

Gjithashtu, rreth 20 milionë euro të tjera janë parashikuar që të prokurohen për rikualifikimin e rrugicave në qytete të ndryshme gjatë vitit 2026.

Të tjera shpenzime të ngjashme janë planifikuar nga bashkitë në buxhetet e tyre për vitin 2026, duke e rritur vlerën e “asfaltit elektoral” në një total prej rreth 100 milionë euro.

“Syri TV” konsultoi të dhënat e publikuara në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik për tenderat e shpallur gjatë periudhës mars-korrik 2026, me fjalët kyç “asfaltim” dhe “mbikqyrje asfaltimi”.

Nga verifikimi rezultoi se, gjatë kësaj periudhe, njësitë vendore kanë publikuar procedura ose kanë shpallur fitues për tendera me fond limit mbi 4.7 miliardë lekë të reja, afërisht 50 milionë euro.

Ndërkohë, në rubrikën “Regjistri i Parashikimeve”, bashkitë socialiste kanë shpallur tendera për asfaltim rrugësh deri në fund të dhjetorit 2026, për një vlerë totale rreth 1.9 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro.

Po ashtu, nga konsultimi i buxheteve të miratuara nga Bashkitë kryesore të vendit për vitin 2026, rezulton se janë të miratuar projekte për asfaltim dhe rehabilitim rrugësh dhe që, me shumë mundësi do të tenderohen në periudhën në vijim, me një vlerë që përllogaritet në rreth 40 milionë euro.

 “Asfalti elektoral” është një ndër mekanizmat që qeverisja socialiste e ka aplikuar masivisht në vitet parazgjedhore, si një formë për të bindur qytetarët se janë të angazhuar në zgjidhjen e problemeve infrastruktore.

Në përgjithësi, këto investime harrohen gjatë ushtrimit të mandatit të kryebashkiakëve socialistë ose, siç është konstatuar shpesh, punimet e tilla shërbejnë vetëm si fasadë, pasi ato janë të një cilësie të dobët dhe që prishen shumë shpejt.