Kedhi: Qytetarët të vendosur për largimin e Ramës dhe pse qeveria përgjigjet me dhunë dhe presion
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, Nikola Kedhi, këshilltar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, u shpreh se protestat e qytetarëve dhe opozitës kanë hyrë në një fazë vendimtare të përplasjes me qeverinë, duke theksuar se përgjigjja institucionale ndaj tyre ka qenë dhunë, presion dhe tentativa për intimidim të protestuesve.
Kedhi deklaroi se qytetarët kanë thyer frikën dhe po mbushin sheshet prej javësh, ndërsa akuzoi qeverinë se po tenton të mbajë nën kontroll pakënaqësinë përmes forcës dhe jo dialogut.
Ai tha se kërkesat e protestuesve janë të qarta dhe të pandryshuara: largimi i qeverisë, krijimi i një qeverie tranzitore dhe ndryshime të thella në sistemin politik dhe zgjedhor, duke shtuar se çdo përpjekje për t’i reduktuar këto kërkesa në çështje dytësore është shmangie nga thelbi i krizës politike.
Kedhi u ndal edhe te deklaratat e përfaqësuesve ndërkombëtarë, duke përmendur eurodeputetë dhe zyrtarë amerikanë, të cilët kanë ngritur shqetësime serioze për rolin e krimit të organizuar në jetën publike dhe pengesat që ai krijon për rotacionin politik në vend.
Ai theksoi se këto sinjale tregojnë rritje të vëmendjes ndërkombëtare ndaj situatës në Shqipëri dhe thellimit të krizës së besimit mes qytetarëve dhe qeverisë.
Pjesë nga deklarata:
Ti ndaj, ti shpërndaj në të katër anët e botës; ata që ngelën këtu, lëri në varfëri, lëri pa arsim, pa shëndetësi, sepse e di që një popull i përçarë, një popull i shtypur ngrihet më me vështirësi. Dhe ndaj, kur shikon për të 35-tën ditë radhazi që qytetarët shqiptarë ngrihen, që qytetarët shqiptarë kanë vrarë frikën, kanë mbushur bulevardin, dhe mbi këtë, edhe qytetarët që ai ka dëbuar, qytetarët që janë në diasporë, mblidhen të gjithë dhe kërkojnë largimin e tij, së bashku me kërkesat e tyre, pra largimin e tij si kërkesë kryesore, pa diskutim që ai ka frikë. Kur shqiptarët, unë jam i bindur për këtë gjë, kur shqiptarët ngrihen dhe e ndajnë mendjen, nuk ka as Edi Rama dhe as ndonjë pushtues tjetër si ai që mund t’i ndalë.
Po, ka pasur disa forma që nga fillimi i protestës për përçarjen e saj, për shuarjen e saj: kërcënime, presione, infiltrime të njerëzve të qeverisë, të kryeministrit, dhe dhuna është thjesht një nga metodat e shumta të kësaj qeverie. Përfitojnë nga fakti kur protestuesit nuk janë aq të shumtë në numër sa ç’janë pasdite në protestën e mbrëmjes, dhe ushtrojnë dhunë ndaj atyre protestuesve që janë para Parlamentit dhe që çfarë kanë bërë? Kanë hedhur vezë. Forma të tilla të protestës janë në të gjithë kontinentin evropian, madje edhe forma më të rënda. Në Belgjikë, në Bruksel, u rrethua Parlamenti Evropian, iu vu flaka Parlamentit Evropian nga fermerët, të cilët u ngritën sepse refuzonin të plotësonin, të dëgjonin kërkesat e tyre.
Masakronin me grushta dhe me shkelma. Jo vetëm që nuk kishte polici, por detyruan këta fermerë që Ursula von der Leyen, kryeburokratja e Brukselit, të dilte t’i takonte dhe t’u përgjigjej kërkesave të tyre; i pranoi kërkesat e tyre. Sepse ka në vendet e tjera, edhe pse unë mund të kem shumë pakënaqësi personalisht ndaj zonjës von der Leyen apo burokratëve të tjerë, ekziston ndjeshmëria ndaj kërkesave të njerëzve kur ngrihen në numër. Ndaj protestave, qoftë edhe protestave të vogla, ka një ndjeshmëri më të madhe. Ndërsa këtu, qeveria shqiptare sillet sikur të jetë pushtuese e këtij vendi; nuk ka asnjë ndjeshmëri.
Po nuk duhet të na surprizojë kjo, duke ditur partinë dhe grupimin politik nga i cili vjen kryeministri. Këtë mentalitet kanë pasur që në vitin 1941; nuk është se e zbuluan tani papritur. Ka qenë ky mentalitet që i ka mbajtur shqiptarët të pushtuar për 45 vite nga Partia Komuniste, nga Partia e Punës, dhe është i njëjti mentalitet që i mban shqiptarët të shtypur, të trysnuar, të kërcënuar, nën presion apo të dëbuar edhe në këtë dekadën e fundit. Nuk duhet të na habisë kjo gjë. Unë mendoj se zhvillimi shumë pozitiv i këtij muaji të fundit është që shqiptarët janë ngritur. Dhe ky është leksioni i madh për të gjithë; ky është mesazhi që, mendoj unë, duhet të theksojmë, sepse në këndvështrimin tim kam qenë i bindur për këtë gjë që ka vetëm një mënyrë se si regjime të tilla mund të sprapsen apo të munden: nëse ka një presion të madh popullor. Dhe këtë nuk mund ta bëjë asnjë parti politike e vetme, asnjë grupim shoqëror i vetëm, por ka nevojë për një bashkim të grupimeve të ndryshme shoqërore e politike, të cilat të bashkohen dhe të rrisin presionin, bashkë me një presion në rritje nga komuniteti ndërkombëtar. E kemi parë që presioni ka ardhur në rritje nga komuniteti ndërkombëtar.
Patjetër, ka filluar më përpara presioni i jashtëm, të themi të vërtetën, qoftë në Parlamentin Evropian, qoftë në institucione të tjera të Bashkimit Evropian, qoftë nga administrata e re amerikane që mori detyrën vitin e kaluar, pra administrata Trump. E kemi parë të shprehur nga qëndrimet e të ngarkuarës me punë në Tiranë, zonjës Van Horn, sidomos në lidhje me luftën ndaj karteleve, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presioni ka ardhur në rritje.
Më mjafton të them vetëm një fjali për çfarë tha Michael Gahler, i cili ishte një nga vëzhguesit e zgjedhjeve të vitit të kaluar në Parlamentin Evropian; eurodeputeti, kur shkoi në Parlamentin Evropian, tha se krimi i organizuar pengon rotacionin politik në Shqipëri. Mjafton vetëm kjo fjali për të kuptuar se sa e rëndë është situata këtu në vend. Dhe ndaj unë jam shumë i lumtur që qytetarët shqiptarë më në fund janë ndërgjegjësuar dhe janë ngritur për veten e tyre. Në rastin e parë kjo ka qenë thirrja e Partisë Demokratike, thirrja jonë përgjatë gjithë kësaj dekade, dhe ne jemi shumë të lumtur që qytetarët shqiptarë janë më në fund në shesh për veten e tyre, për familjet, për dinjitetin e tyre, në mënyrë që të jetojnë si njerëz me dinjitet në shtëpitë e tyre, në vendin e tyre. Kjo është e gjitha.
Po, pa qartë, padiskutim që ka ndryshuar 180 gradë qëndrimi i administratës amerikane aktuale nga ajo e paraardhësit, presidentit Trump. Unë zakonisht jam shumë i kujdesshëm që të mos lexoj “filxhanin” dhe të them ambasadori i ri do të vijë dhe do të bëjë këtë apo do të ndodhë kjo me siguri. Por në çdo arsyetim që bëjmë mund të dalim në disa hipoteza ose konkluzione, bazuar mbi çfarë ka ndodhur së fundmi, ose që kur ka marrë detyrën presidenti Trump, është rritur retorika e kësaj administrate nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, për luftën ndaj karteleve, krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri. Për ta është bërë shumë shqetësuese që Shqipëria është kthyer në një korridor të trafikimit të kokainës dhe heroinës, i cili më pas shpërndahet në të gjithë Evropën.