Alarm te Spanja, Lamine Yamal mungon në stërvitje para sfidës me Portugalinë
Kombëtarja e Spanjës ka zhvilluar stërvitjen e radhës në prag të përballjes së madhe ndaj Portugalisë në 1/8 e finales së Kampionatit Botëror, ndërsa vëmendjen e morën mungesat e disa prej futbollistëve kryesorë.
Sipas raportimit të “Mundo Deportivo”, Lamine Yamal, Pedro Porro dhe Aymeric Laporte nuk u stërvitën me grupin, por zhvilluan një program rikuperimi në palestër.
Megjithatë, stafi teknik nuk është i shqetësuar për gjendjen e tyre dhe të tre pritet të jenë të gatshëm për sfidën ndaj Portugalisë.
Veç grupit është stërvitur edhe Dani Olmo, i cili po ndjek një program të personalizuar.
Edhe në rastin e mesfushorit ofensiv, raportet bëjnë të ditur se ai do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen.
Lajmet janë pozitive për kampin spanjoll, pasi mungesat në stërvitje lidhen me menaxhimin e ngarkesës fizike dhe jo me dëmtime serioze.
"La Roja" vjen në këtë takim me moral të lartë, pasi në fazën e kaluar mposhti bindshëm Austrinë me rezultatin 3-0, duke siguruar kalimin në raundin tjetër.
Tashmë, Spanja synon të vazhdojë rrugëtimin drejt trofeut, por përballë do të ketë Portugalinë, në një duel që pritet të jetë ndër më spektakolarët e kësaj faze të Kampionatit Botëror.