Protesta e 35-të/ Lleshi: Dialog me Ramën nuk ka, protesta do të vazhdojë deri në rrëzimin e tij dhe qeverisë

Protesta e qytetarëve të Shqipërisë ka hyrë në ditën e saj të 35-të, duke shënuar një pikë kritike në përplasjen mes qytetarëve dhe qeverisë.

E ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, aktivistja Arilda Lleshi akuzoi Policinë e Shtetit se ka ushtruar dhunë të pajustifikuar dhe joproporcionale ndaj protestuesve paqësorë, me qëllim frikësimin e qytetarëve dhe dekurajimin e pjesëmarrjes në protestat para Kuvendit.

Ajo deklaroi se, pavarësisht ndërhyrjeve policore, protestuesit do të rikthehen në çdo seancë parlamentare, pasi e konsiderojnë Kuvendin institucionin ku miratohen ligje që cenojnë pronën publike, pasuritë kombëtare dhe interesin e qytetarëve.

Lleshi theksoi se lëvizja nuk ka ndryshuar asnjë nga kërkesat e saj politike dhe se ato mbeten të panegociueshme: dorëheqja e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ngritja e një qeverie tranzitore, ndryshime kushtetuese që prekin sistemin zgjedhor, vendosja e kufizimit të mandateve, si dhe shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike dhe i ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Aktivistja hodhi poshtë çdo mundësi negociatash me kryeministrin Rama, duke deklaruar se protesta nuk kërkon kompromis për disa ndryshime ligjore, por largimin e qeverisë, pasi, sipas saj, besimi ndaj këtij kabineti është humbur plotësisht.

Duke iu përgjigjur edhe deklaratave të kryeministrit për ndikim të faktorëve të huaj në protestë, Lleshi i cilësoi ato "teori konspirative", duke thënë se qeveria nuk ka paraqitur asnjë provë dhe se akuzat janë një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike përballë revoltës qytetare.

Pjesë nga deklarata:

Patjetër që policia kërkon të na intimidojë. Dhuna u iniciua nga policia dhe, përveç vezëve, nuk ka pasur elemente dhune të iniciuara nga ne që ta shtynin policinë të sillej në atë mënyrë. Kemi parë disa raste kur njerëzit, pasi janë larguar dhe nuk përbënin asnjë rrezik për policinë, janë goditur prej saj. Pra, dhuna e policisë ishte joproporcionale dhe, në disa raste, çnjerëzore. Ata kërkonin të jepnin një mesazh që të mos e mendonim të ktheheshim sërish te Parlamenti dhe të frikësonin njerëzit e tjerë, sepse dihet që, kur situata në një protestë bëhet më konfliktuale, kjo largon disa njerëz, familjarë e fëmijë, nga ajo protestë. Megjithatë, ne do të kthehemi sërish te Parlamenti, sa herë të ketë seancë parlamentare, sepse mendojmë se ai institucion është vendi ku miratohen ligjet që po na grabisin pronat dhe po na shkatërrojnë institucionet. Ata njerëz tashmë nuk përfaqësojnë interesin publik dhe ne mendojmë se nuk mund t'i lëmë të qetë, por duhet të përballen me revoltën e qytetarëve dhe ta kuptojnë këtë.

Absolutisht, ne do ta mbrojmë deri në fund deklaratën politike që kemi nxjerrë dhe këto janë kërkesat tona: dorëheqja e panegociueshme e qeverisë, krijimi i një qeverie tranzitore, ndryshime kushtetuese në lidhje me ligjin zgjedhor, vendosja e një kufiri mandatesh, si dhe shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike dhe i ndryshimeve ligjore të bëra në vitin 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Mendoj se po bëhen qesharakë. Është qesharake që një kryeministër të flasë me teori konspirative. Nëse i takon palës akuzuese ta provojë akuzën dhe nëse institucionet tona ligjzbatuese kanë informacione për ndërhyrje në protestë, le ta ndjekin çështjen zyrtarisht dhe institucionalisht. Por, në momentin që gjithçka mbetet në nivel akuzash të paprovuara, kemi të bëjmë me teori konspirative dhe është e turpshme që kryeministri të bjerë në këtë nivel. Neve kjo nuk na bën asnjë përshtypje; madje, mendojmë se është mbrojtja më e dobët që mund të bënte kryeministri. Kjo do të thotë se nuk i ka mbetur asnjë argument tjetër: herë kalon te akuzat, herë te viktimizimi, herë te ftesa për dialog.

Ne e kemi thënë që në ditën e tretë të protestës, kur kryeministri hodhi si ide dialogun, se nuk kemi çfarë të negociojmë. Ne kërkojmë dorëheqjen e tij dhe nuk besoj se kjo është diçka që mund të negociohet. Për aq kohë sa ai nuk do të japë dorëheqjen, ne nuk kemi çfarë të negociojmë me të. Nuk është çështja që disa njerëz përpiqen ta reduktojnë protestën në disa ndryshime ligjore; kjo nuk mjafton. Nuk është vetëm çështje ligjesh. Ne tashmë e kemi humbur besimin te kjo qeveri dhe te vullneti i saj i mirë. Ne nuk mendojmë se, edhe nëse ndryshon ky ligj, ata do të vazhdojnë ta bëjnë punën siç duhet. Mendojmë se ata nuk janë aty në interes të kombit tonë dhe, për këtë arsye, duhet të largohen.