‘1/ 5 të rinj pa punë, pa shkollë dhe pa formim profesional’, PD: Rama po shkatërron të ardhmen e vendit

Për Partinë Demokratike, të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se Shqipëria vijon në një krizë strukturore në tregun e punës së të rinjve, ku 20,1% e grup-moshës 15-29 vjeç, për vitin 2025, rezultojnë jashtë sistemit arsimor, pa punë dhe pa u përfshirë në formim profesional.

Në një deklaratë nga selia blu, drejtuesja e Departamentit të Arsimit, Lili Sula tha se një situatë e tillë ka reduktuar mundësinë që të rinjtë të krijojnë familje dhe pasjen e një shtëpie të tyre.

Sipas Sulës, Edi Rama është përgjegjësi kryesor për situatën në të cilën ndodhet rinia, ndërsa shtoi se kryeministri po shkatërron të ardhmen e vendit.

‘Të dashur qytetarë, të jemi të gjithë sot në shesh – secili me peshën e rëndë të derteve të 13 viteve pushtet autokratik, t’ia kthejmë në kurriz  kryeministrit më antishqiptar e të përpëlitet deri sa të dorëhiqet’, u shpreh Sula.

Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se Shqipëria vijon në një krizë strukturore në tregun e punës së të rinjve, ku 20,1% e grup-moshës 15-29 vjeç, për vitin 2025, rezultojnë jashtë sistemit arsimor, pa punë dhe pa u përfshirë në formim profesional.

Kjo do të thotë se 1 në çdo 5 të rinj gjendet jashtë strukturave që ndërtojnë aftësi, sigurojnë të ardhura dhe krijojnë mundësi për të ardhmen.

Kjo situatë e shumë viteve ka rritur, varfërinë, emigrimin, izolimin social, humbjen e aftësive profesionale dhe varësinë ekonomike për të rinjtë nga familja, si dhe ka reduktuar mundësitë që të rinjtë të krijojnë familje, të jetojnë në shtëpi me qira dhe kanë zeruar mundësitë që të kenë shtëpinë e tyre.

Në mungesë të mundësive për arsim, trajnim dhe punësim, një pjesë e këtyre të rinjve janë më të ekspozuar ndaj fenomeneve si ekonomia informale, shfrytëzimi, përdorimi i substancave narkotike apo përfshirja në aktivitete kriminale.

Sipas INSTAT brenda kësaj grup-moshe 15-29 vjeç, 38,5% e të rinjve rezultojnë të papunë aktivë, pasi janë duke kërkuar punë dhe janë të gatshëm të hyjnë në tregun e punës.

Pjesa tjetër, rreth 20% janë të angazhuar në detyra familjare, duke rritur fëmijë apo duke u kujdesur për dikë në familje , gjë që tregon nivelin shumë të lartë të papunësisë për moshën më vitale të çdo njeriu dhe mungesën e plotë të shërbimeve sociale, arsimore e shëndetësore, përderisa një përqindje e lartë e kësaj moshe merret me kujdesin e prindërve të moshuar apo të fëmijëve në këtë formë.

Një pjesë goxha e konsiderueshme,  40,4%, renditet në kategorinë “të tjera”, që shpreh nivelin e lartë të informalitetit ose pasigurinë në deklarimin e statusit të tyre ekonomik.

Përqindja e të rinjve shqiptarë që nuk janë as në punë dhe as në shkollë është gati dyfish mbi mesataren e BE-së dhe në nivele shumë të larta rajonale.

Por rrënimi i gjithanshëm i vendit nuk i bën përshtypje kryeministrit i cili i tronditur këto ditë nga drita e shpresës dhe besimit në bulevard ,  merret personalisht me protestuesit, i shantazhon dhe u lëshon policinë në dhunë brutale prindërve, të rinjve, i alarmuar nga fundi i pashmangshëm , burgos prindin e fëmijës me shumë nevoja dhe të riut tjetër i mohon edhe ditën e ceremonisë martesore.

Kryeministri që dëboi mbi 1 milion shqiptarë e sot përpiqet të fshehë dështimet te  armiku i jashtëm dhe i brendshëm  si paraardhësit e vet- ky kryeministër që shkatërroi strukturën e çdo funksioni normal të kombit nuk e mbulon dot më diellin me shoshën e fasadave të propagandës së vet- diellin që nuk perëndon në bulevardin e Tiranës të shqiptarëve në protestë.

 Me gjithë mundimin për të fshehur panikun që e ka mbërthyer nga protesta-  këtë verë e ke të nxehtë – sot vijnë bijtë e bijat nga diaspora që i degdise në çdo vend të botës për t’i dalë zot vendit për të larguar ty Edi Rama – që je e  keqja më e madhe e vendit

Të dashur qytetarë, të jemi të gjithë sot në shesh – secili me peshën e rëndë të derteve të 13 viteve pushtet autokratik, t’ia kthejmë në kurriz  kryeministrit më antishqiptar e të përpëlitet deri sa të dorëhiqet.