Berisha: Raporti i misionit faktmbledhës të PPE-së vulosi kërkesën për qeveri teknike, na përket ne të ndahemi me Ramën
Për kreun e PD, Sali Berisha, raporti i misionit faktmbledhës të PPE-së vulosi kërkesën për qeveri teknike.
Sipas Berishës, tanimë i përket opozitës dhe qytetarëve të ndahen me Edi Ramën për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.
Në komunikimin me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se kjo betejë do të kurorëzohet me sukses.
Bashkëbisedimi
Fatmir Selmanaj: Përshëndetje doktor Berisha. Raporti përfundimtar ishte negativ për 11 majin. Ata si në vitin 2001 me qeverinë Nano, i hodhën poshtë zgjedhjet dhe ne të urojmë të jeni i zoti për t'i kundërshtuar zgjedhjet e vjedhura, gjë që siç e dimë nuk ndodhi me ish-kryetarin. Tani çfarë konkluzioni të saktë ose si do të vihet në funksion ky raport në drejtim të qeverisë Rama 4? A mund të njësohen këto me kërkesat e protestës? Respekte nga Vlora.
Sali Berisha: Shumë faleminderit për pyetjen.
Mendoj se pyetjes tuaj i dha një përgjigje të fuqishme raporti i misionit faktmbledhës të Partisë Popullore Europiane dhe rezoluta, e miratuar të dyja me unanimitet në asamblenë politike të Partisë Popullore në Vjenë.
Kërkesa për qeveri teknike për zhvillimin e zgjedhjeve, në vlerësimin tim, është kërkesa më maksimale dhe më e rëndësishme për Partinë Demokratike dhe për qytetarët shqiptarë.
Kjo u realizua.
Nuk është e lehtë, duhet të jemi realistë domethënë, që instanca ndërkombëtare, institucione ndërkombëtare, organizata ndërkombëtare të arrijnë në një konkluzion të tillë, të shprehen, kjo është një proces i tërë që duhet dokumentuar, me qindra, për të mos thënë mijëra dokumente.
Dhe në atë raport në qoftë se e lexoni e keni në faqen e Partisë Demokratike, ndër të tjera citohet edhe ky libër. Edhe ky libër: 'Big fat farce on Albanian elections', i cili sipas raportit dhe sipas librit, ka mbi 2500 e sa dokumente, fakte të dhunimit të zgjedhjeve në 1500 faqet e tij.
Ndaj dhe, na përket ne tani, të ndahemi me Edi Ramën për të zhvilluar zgjedhje.
Dhe jemi në betejë, kjo betejë do të kurorëzohet me sukses.
Mund t'ju them se protesta rinore, qytetare, në qoftë se ne me protestat tona dhe dokumentet që arritëm ndërkombëtare, ia dolëm ta plagosim rëndë Edi Ramën, protesta qytetare e ka plagosur atë në mënyrë fatale.