Berisha: PD do t’i mbahet frymës së Kuvendit të saj, por gjithçka përcaktohet me votë

Kryetari i PD, Sali Berisha në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale foli edhe për Kuvendin Kombëtar të PD, ku tha se forca politike që drejton do t’i përmbahet frymës së Kuvendit.

Sipas Berishës, zgjedhje e Juliana Emririt në krye të Kuvendit Kombëtar, është plotësisht e merituar.

‘Partia Demokratike duhet t'i mbahet frymës së Kuvendit të saj. Por gjithçka përcaktohet me votë, këtë dua ta them se, duhet të jemi shumë të qartë’, u shpreh Berisha.

Bashkëbisedimi:

Fatmir Topi: Doktor Berisha, pas Këshillit Kombëtar dhe zgjedhjes surprizë të kryetares së Këshillit Kombëtar, Juli Ermiri, a do të ketë sërish rinovime dhe surpriza të tjera edhe tek nënkryetarët, sekretariatet teknike e të tjerë, apo thjesht ndryshim rolesh brenda kupolës aktuale të PD-së?

Sali Berisha: Zoti Topi, ju falënderoj për pyetjen. Fryma e Kuvendit Kombëtar është fryma e ripërtëritjes, ajo që thoni ju. Zonja Emiri është një artiste e shquar, por është dhe një mbrojtëse e flaktë e kauzave të drejta.

Ajo me kolegët e saj kanë mbrojtur në mënyrën më të vendosur, do të thosha më heroike, Teatrin Kombëtar nga Neronët që e shkatërruan.

Ka qenë një oratore dhe ka folur, është përballur me dhunën policore familjarisht dhe me pasoja, dhe mendoj se besimi që i shprehu Këshilli Kombëtar është plotësisht i merituar.

Jam i një mendje me ju, Partia Demokratike duhet t'i mbahet frymës së Kuvendit të saj. Por gjithçka përcaktohet me votë, këtë dua ta them se, duhet të jemi shumë të qartë.