Aksidenti tragjik në Korridorin 8/ Himçi: Përgjegjësia bie mbi Ballukun
Aksidenti tragjik që i mori jetën 42-vjeçarit Arjan Hoxha ditën e djeshme në aksin Elbasan-Prrenjas, ku po kryhen punimet për Korridorin e 8-të, ka ngjallur reagime të ashpra.
Gjatë një interviste në Syri TV, deputeti i qarkut të Elbasanit hodhi akuza të rënda në drejtim të qeverisë, duke e cilësuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku si përgjegjësen kryesore për situatën.
Së pari më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit, bashkëqytetarit tonë Arjan Hoxha, i cili në moshën 42-vjeçare humbi jetën dje në një aksident tragjik. Si deputet i qarkut të Elbasanit, por njëkohësisht edhe si nënkryetar i Komisionit të Burimeve Natyrore, Infrastrukturës dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, denoncoj me forcë punimet në Korridorin e 8-të, pikërisht në aksin Elbasan-Prrenjas. Aferat korruptive të kësaj qeverie dhe konkretisht Belinda Ballukut dhe shpurës së saj janë dhe pasojë e vdekjes tragjike dje të bashkëqytetarit tonë.
Në shumë segmente në të cilat po punohet, ka një mungesë të madhe të sigurisë teknike. Dhe kjo ka sjellë pasojë që edhe qytetari i djeshëm të humbi jetën. I bëj thirrje SPAK që të sjellë sa më shpejt heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, ku tashmë nga Prokuroria e Posaçme janë faktuar me prova konkrete, jo vetëm pabarazia në tendera, por tashmë dhe korrupsioni pasiv apo pastrimi i parave. Ndaj kërkoj që të hetohet kjo lloj çështje edhe nga SPAK dhe t'i bashkëngjitet dosjes së Belinda Ballukut.
Qytetarët tanë, përveç se kanë paguar shtrenjtë faturën për ndërtimin e kësaj rruge, tashmë Belinda Balluku me shpurën e saj janë kthyer dhe në vrasës të qytetarëve për shkak të mungesës së sigurisë teknike, por për shkak edhe të firmave pa përvojë të cilët kanë fituar këto tendera dhe që punojnë në kushte dhe në mungesë totale të sigurimit teknik. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të marri masa që të kontrollojë të gjithë këtë lloj aksi, për të garantuar sigurinë e lëvizjes së automjeteve. I bëj thirrje, si qytetar por edhe si deputet i qarkut të Elbasanit, edhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, të kontrollojë të gjitha kushtet e sigurimit teknik, qoftë për punëtorët, qoftë edhe për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve.