PL: Paratë e pista të drogës dhe krimit që pastrohen pa fre, po mbytin euron e ndershme të emigrantit
Për Partinë e Lirisë, Shqipëria po kalon një nga periudhat më të vështira ekonomike dhe demografike, ku pamundësia për të jetuar me dinjitet po detyron masivisht qytetarët të braktisin vendin.
Në një deklaratë nga selia e PL, deputetja Brunilda Haxhiu u shpreh se hendeku ekonomik është aq i thellë, saqë një muaj punë në shtete si Gjermania është i barazvlefshëm me tre muaj punë në Shqipëri, duke e kthyer emigrimin në të vetmen alternativë për të rinjtë dhe familjet.
Kjo krizë po thellohet edhe më shumë nga zhvlerësimi dramatik i euros, theksoi Haxhiu, e cila po godet rëndë familjet dhe pensionistët që jetojnë përmes dërgesave nga jashtë.
Sipas saj, ky deformim i tregut valutor nuk vjen nga një ekonomi e shëndoshë, por dyshohet se shkaktohet nga pastrimi i parave të pista nga droga dhe krimi, të cilat po asgjësojnë djersën e emigrantëve.
Ekonomia, thekson ndër të tjera ligjvënësja e PL, duket se është orientuar tërësisht drejt betonizimit dhe një turizmi që nuk ofron stabilitet në punësim.
Si përgjigje ndaj kësaj situate emergjente, Partia e Lirisë ka shpalosur një program shpëtimi ekonomik.
Mbijetesa, ekonomia, matet me mundësinë reale të një qytetari për të jetuar me dinjitet në vendin e vet. Sot kjo mundësi po i shkelet çdo shqiptari. Kur një i ri llogarit se një muaj pune në Gjermani vlen sa tre muaj pune në Shqipëri, zgjedhja për tu larguar bëhet e detyruar. Çdo familje që largohet, çdo klasë që mbyllet për mungesë nxënësish, është një dëshmi e heshtur e dështimit të kësaj qeverie për të ndalur zbrazjen demografike. Çdo muaj mijëra familje shqiptare presin me shpresë transfertën që u dërgon një prind, një fëmijë, një i afërm nga jashtë që të mbyllin shpenzimet e një muaji. Çdo 100 euro që dërgohen nga jashtë për të blerë ilaçe apo bukë sot kthehen në mbi 4 mijë lekë më pak në xhepat e pensionistëve shqiptar krahasuar me kursin normal. Kjo sepse tregu ynë valutor nuk rregullohet më nga ekonomia e ndershme por nga paratë e pista të drogës dhe krimit që pastrohen pa fre duke mbytur euron e ndershme të emigrantit.
Eurostat na tregoi atë që çdo shqiptar e ndjen sa herë që shkon në treg. Çmimet e ushqimeve bazë në Shqipëri kanë kaluar mesataren e bashkimit evropian. Në një vend me pagat më të ulëta të rajonit, ne paguajmë bukën, vajin dhe qumështin njësoj apo më shtrenjtë se qytetarët me paga shumëfish më të larta. Kjo është pasoja e një tregu të mbyllur ku pak duar kontrollojnë importin dhe askush nuk mban përgjegjësi. Një çift i ri sot e ka pothuajse të pamundur të blejë një banesë në qytetet kryesore.
Çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele që nuk korrespondojnë me pagat reale të vendit, ndërkohë territori dhe bregdeti ynë trajtohen si plaçkë tregu jo si trashëgimi kombëtare për brezat që vijnë. Sektori i prodhimit vendas si fasoneritë, bujqësia, industritë e vogla po humbet terren çdo ditë. Prapa çdo biznesi që mbyllet ka familje që mbeten pa të ardhura, mijëra gra dhe nëna kryefamiljare që nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre. Nuk mund të kemi një vend të fortë pa një ekonomi prodhuese të fortë. Kjo qeveri ka zgjedhur betonin në vend të fabrikave, propagandën e turizmit në vend të punësimit të qëndrueshëm.
Partia e Lirisë vendos në qendër të programit të saj mbështetjen financiare për familjet e reja, uljen e TVSH nga 20% në 5% për ushqimet e shportës, rritjen e pagave dhe pensioneve, investim në arsim dhe shëndetësi, mbështetjen e bujqësisë dhe biznesit duke mbështetur prodhimin vendas për ta kthyer Shqipërinë në një fuqi eksportuese. Për më shumë se një muaj shqiptarët kanë mbushur sheshet e Shqipërisë sepse protestojnë për familjen, për fëmijët që sot rriten larg prindërve, për pensionistët që numërojnë lekët në fund të muajit. Partia e Lirisë do të jetë zëri i kësaj kërkese në çdo institucion sepse liria fillon atje ku qytetari mund të jetojë me dinjitet.