Qyteti i Ohrit në listën e trashëgimisë së UNESCO-s tërheq vizitorët gjatë sezonit veror
Një nga destinacionet turistike më të njohura në Ballkan dhe qytet që brenda kufijve të tij strehon një nga liqenet më të vjetra dhe më të thella të Evropës, Ohri, edhe këtë vit renditet ndër vendet më të vizituara nga turistët në rajon.Qyteti i Ohrit, një nga qendrat më të rëndësishme turistike të Maqedonisë së Veriut, i cilësuar si "perla e vendit" dhe i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, tërheq vizitorët gjatë sezonit veror, raporton Anadolu.
Ohri, një nga destinacionet turistike më të njohura në Ballkan dhe qytet që brenda kufijve të tij strehon një nga liqenet më të vjetra dhe më të thella të Evropës, ashtu si në vitet e kaluara edhe këtë vit spikat si një nga vendet më të frekuentuara nga turistët në rajon.
Me rrezet e diellit që krijojnë shkëlqime mbi sipërfaqen e liqenit, me pulëbardhat, rrugicat e ngushta me kalldrëm, shtëpitë historike dhe objektet e kultit të feve të ndryshme, Ohri u ofron mundësi të ndryshme turistëve të çdo moshe dhe nga çdo vend.
Në Ohër mund të zhvillohen aktivitete si paragliding, shëtitje me varkë dhe vizita në vende historike. Përveç llojeve të ndryshme të kuzhinës ballkanike, aty ofrohet edhe trofta e Ohrit, e cila është ndër më të preferuarat.
Me arkitekturën e tij që mban edhe gjurmë të periudhës osmane, Ohri kryeson listën e vendeve më të vizituara nga turistët turq në vend.
- Strukturat historike i çojnë vizitorët në një udhëtim nëpër kohë
Ohri, me shtëpitë e tij historike dhe objektet fetare që kanë qëndruar në këmbë prej shekujsh, i çon vizitorët në një udhëtim nëpër kohë.
Ndër xhamitë e periudhës osmane në pazarin e vjetër të qytetit ndodhet edhe Xhamia e Ali Pashës. Xhamia, e ndërtuar në vitin 1573 nga Sulejman Pasha, u restaurua nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve dhe u rihap për adhurim në vitin 2019.
Një nga monumentet historike më ikonike të vendit dhe të qytetit, Kisha e Shën Gjonit (Sveti Jovan Kaneo), që vlerësohet të jetë ndërtuar në shekullin e 13-të dhe mbart karakteristika të periudhës së hershme të krishterimit, me Liqenin e Ohrit në sfond ofron një pamje si kartolinë.
- Turkish Airlines fluturon drejt Ohrit katër herë në javë
Turkish Airlines, deri më 4 tetor të këtij viti, organizon katër herë në javë fluturime në linjën Stamboll-Ohër-Stamboll.
Aeroporti "Shën Apostull Pali" i Ohrit, aeroporti i vetëm i qytetit, ndodhet rreth 10 kilometra larg qendrës së Ohrit.
Tarifa e taksisë ndërmjet aeroportit dhe qendrës së qytetit është 12 euro.
Përveç shëtitjeve me varkë në Liqenin e Ohrit, ekziston edhe mundësia e marrjes me qira të biçikletave, me çmime ditore që variojnë nga 10 deri në 60 euro./AA