Si Islami mund t'i ketë dhënë fund antikitetit (e jo pushtuesit gjermanikë)
Ekonomistë që analizuan mbi gjysmë milioni monedha të lashta kanë gjurmuar fundin e Romës, dhe ngritjen e Europës Veriore, deri në shekullin VII.
Nga Frank Jacobs
Në vitin 1922, historiani belg i Mesjetës Henri Pirenne shkroi: "Pa Islamin, Perandoria Franke nuk do të kishte ekzistuar kurrë dhe, pa Muhamedin, Karli i Madh do të ishte i paimagjinueshëm."
Kjo tezë e debatueshme ndezi një shekull përplasjesh të ashpra në fakultetet e historisë. Pyetja kryesore ishte: Çfarë i dha fund në të vërtetë botës së lashtë? A ishin pushtimet gjermanike, murtaja e Justinianit, rënia morale, përqafimi i krishterimit apo thjesht sasia e madhe e plumbit në tubacionet e Perandorisë që i çmendi perandorët?
Pika më e pranuar e fundit të antikitetit, ajo që ndoshta keni mësuar edhe në shkollë, është viti 476 pas Krishtit, kur RomulAugustuli, perandori i fundit në Romë, u rrëzua nga prijësi gjermanik Odoakri, duke shënuar rënien e Perandorisë Romake të Perëndimit.
Tani, këto harta mbështesin dy argumentet kryesore të Pirenne-s: se ishte ngritja e Islamit në shekujt VII dhe VIII, dhe jo pushtimet barbare të shekujve IV dhe V, ajo që i dha fund antikitetit të vonë. Gjithashtu, duke e ndarë në dy pjesë botën e përqendruar rreth Mesdheut, pra Perandorinë Romake, Islami krijoi kushtet për ngritjen e Europës Veriore.
Mbi gjysmë milioni monedha
Provat nuk erdhën nga historianët, por nga ekonomistët. JohannesBoehm (Sciences Po, Paris) dhe ThomasChaney (Universiteti i Kalifornisë Jugore, LosAnxheles) bënë diçka që Pirenne nuk mund ta bënte për shkak të kufizimeve teknologjike të kohës. Ata krijuan një bazë të dhënash me mbi gjysmë milioni monedha të prera midis viteve 325 dhe 950 pas Krishtit, duke regjistruar jo vetëm vendin dhe kohën kur ishte prerë secila monedhë, por edhe vendin dhe kohën kur ishte gjetur, në puse, si dhurata varrimi, në thesare të fshehura e kështu me radhë.
Praktikisht, ata i shndërruan monedhat e lashta në sinjale GPS nga e kaluara. Një monedhë e prerë, për shembull, në Aleksandri dhe e gjetur në Burgonjë është vetëm provë e një lidhjeje të vetme. Por mijëra zbulime të tilla, të mbledhura gjatë shekujve, të transportuara nga tregtarë, ushtarë, pelegrinë, mbledhës taksash, plaçkitës dhe me siguri edhe nga ndonjë marinar i dehur, zbulojnë rrugët tregtare, intensitetin e marrëdhënieve ekonomike dhe ndryshimin e modeleve të shkëmbimeve.
Kjo është histori ekonomike e ndërtuar mbi analizën forenzike të monedhave. Rezultati është diçka që i ngjan një skaneri ekonomik të botës nga fundi i Perandorisë Romake deri në fillimet e Mesjetës, bazuar në gjashtë shekuj të dhënash të analizuara në studimin "Tradeand the End ofAntiquity" ("Tregtia dhe fundi i Antikitetit"), një punim kërkimor i Boehm dhe Chaney.
Nga Kostandinopoja në Frizland
Këto harta paraqesin dy periudha nga fillimi dhe fundi i intervalit kohor që studiuesit analizuan. Me të kuqe shfaqet qarkullimi i monedhave nga viti 450 deri në 630 pas Krishtit, përpara pushtimeve arabe. Me blu paraqitet qarkullimi nga viti 713 deri në 900 pas Krishtit, pasi ushtritë myslimane pushtuan Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Spanjën.
Para pushtimeve, Mesdheu i ngjante një vorbulle gjigante metalike me qendër në Kostandinopojë, atëherë kryeqyteti i Perandorisë Romake të Lindjes. Monedhat përhapeshin në të gjitha drejtimet dhe ktheheshin sërish përgjatë rrugëve tokësore dhe detare të Perandorisë drejt rajoneve të afërta (Greqi, Anadoll, Siri, Ballkan) dhe më të largëta (Egjipt, Itali, Afrikë e Veriut). Edhe lidhjet me Europën Veriore ishin të forta, me linja të trasha që lidhnin Kostandinopojën me Frizlandin dhe Dorestadin në territorin e Holandës së sotme.
Harta pas pushtimeve duket si një krizë nervore e shprehur në formë hartografike. Kostandinopoja ka humbur rolin e saj qendror. Ajo mbetet ende në qendër të një rrjeti ekonomik, por ky rrjet është shumë më i dobët dhe më i rrallë. Rrugët tradicionale veri-jug përmes Mesdheut janë tkurrur. Nëse në hartën e parë Mesdheu, dikur Mare Nostrum romak, dukej ende si një rrjet tregtar i dendur dhe i integruar, harta e dytë të krijon përshtypjen sikur dikush e ka prerë detin më dysh me një shpatë ceremoniale.
Një shekull zgjerimi të shpejtë
Dhe kjo është afërsisht ajo që ndodhi. Për një shekull pas vdekjes së Muhamedit në vitin 632 pas Krishtit, sundimi mysliman u zgjerua me shpejtësi nga Gadishulli Arabik në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, deri në Spanjë. Zgjerimi i hershëm mysliman arriti pikën e tij më të lartë në Betejën e Tours-it (732 pas Krishtit), ku frankët ndalën përparimin e ushtrive myslimane drejt Europës Veriore.
Megjithatë, pushtimet e tyre më të qëndrueshme në jug krijuan një ndarje të madhe. Antikiteti ishte, në thelb, një qytetërim i përqendruar rreth Mesdheut. Roma nuk ishte thjesht një perandori që rrethonte një det; ajo ishte një perandori falë atij deti. Mesdheu ishte autostrada e saj, kablloja e saj me fibër optike. Nëpërmjet tij, në tri kontinente, transportoheshin drithëra dhe verë, dije të lashta dhe fe të reja, ushtarë dhe skllevër.
Madje edhe më shumë se Roma, Kostandinopoja ishte një kryeqytet detar. Ajo ndodhej mbi Bosfor si një pikë kontrolli mes Europës dhe Azisë, Detit të Zi dhe Mesdheut. Shfaqja e Islamit e shndërroi këtë zonë të bashkuar ekonomike në një kufi të ri gjeopolitik dhe tregtia përtej kësaj vije ndarëse ra ndjeshëm.
Prandaj duket se argumenti kryesor i veprës pas vdekjes së Pirenne-s, "Mahomet et Charlemagne" (1937), rezulton i saktë. Pushtimet gjermanike mund të kenë shkatërruar strukturën politike të botës së vonë romake, por jo unitetin e saj tregtar. Ai u copëtua vetëm kur pushtimet arabe e shkëputën Europën e krishterë nga tregjet e saj lindore, duke detyruar zhvendosjen e qendrës ekonomike drejt veriut.
Pra, nuk ishin visigotët ata që i dhanë fund antikitetit, por kalifët. Ose, thënë ndryshe, Europa moderne ia detyron ekzistencën e saj pikërisht rivalit të saj qytetërues: botës islame.
Më shkatërruese se murtaja e Justinianit
Sigurisht, jo të gjithë do të binden nga këto prova që mbështesin vlefshmërinë e tezës së Pirenne-s. Një grup historianësh do të vazhdojë të argumentojë, siç bën Chris Wickham në librin Framing the Early Middle Ages (2005), se rrjeti tregtar romak në Mesdhe ishte shembur tashmë përpara pushtimeve arabe. Një grup tjetër do të këmbëngulë, ashtu si Michael Mc Cormick në Originsof the EuropeanEconomy (2001), se tregtia vazhdoi të funksiononte pa probleme edhe pas pushtimeve.
Megjithatë, të dhënat mbi qarkullimin e monedhave janë bindëse. Lidhjet tregtare përmes Mesdheut ndërpriten pikërisht gjatë të njëjtës periudhë me shekullin e pushtimeve, dhe kjo ndodh më papritur sesa gjatë plaçkitjes së Romës nga vandalët (455), rrëzimit të RomulAugustulit apo murtajës së Justinianit (541).
Por le t'i japim secilit atë që i takon: Pirenne nuk kishte plotësisht të drejtë. Ai mund të ketë pasur një ide më të saktë se shumica për kohën dhe shkakun e ndarjes midis Antikitetit dhe Mesjetës, por gaboi për pasojat e saj. Sipas tij, kjo shkëputje ishte një katastrofë ekonomike.
Ndërsa qendra bie, skajet ngrihen
Harta e dytë tregon edhe diçka tjetër: tregtia nuk ndalet; ajo riorganizohet. Ndërsa qendra mesdhetare dobësohet, rajonet periferike forcohen. Në kulmin e saj në fillim të shekullit VIII, Lindja e Mesme nën umajadët dhe abasidët e hershëm ishte rajoni më i pasur në botë. Brenda botës islame, një korridor i ri lindje-perëndim lidhte këtë qendër ekonomike me Afrikën e Veriut dhe Spanjën, të cilat sapo ishin islamizuar.
Edhe brigjet atlantike të Europës filluan të lulëzonin. Në fund të shekullit IX, qendra ekonomike e kontinentit ishte zhvendosur nga Kostandinopoja drejt EuropësFranke dhe Vendeve të Ulëta, zona që romakët e Antikitetit të Vonë do t'i kishin përçmuar si toka të lagështa, të errëta dhe të egra, të banuara nga tepër shumë njerëz me emra si Chlodwig.
Megjithatë, këto rajone ishin bërë tashmë pjesët më të pasura të botës së lashtë perëndimore dhe do ta ruanin këtë epërsi, duke u shndërruar në bërthamën e Europës mesjetare dhe, më vonë, të Europës moderne. Këtu hyn në skenë Karli i Madh, që konsiderohet gjyshi i Europës moderne, i cili në vitin 800 pas Krishtit e bëri qytetin verior dhe të lagësht të Ahenit kryeqytetin e perandorisë së tij.
Falë "arkeologjisë ekonomike" të Boehm dhe Chaney, tani kemi të dhëna të forta që mbështesin lidhjen historike mes Muhamedit, Karlit të Madh dhe zhvillimit të mëvonshëm të historisë europiane. / BigThink – Syri.net