Zjarri në malin e Shëngjinit drejt shuarjes, flakët nën kontroll - Helikopteri në aksion për vatrat e fundit

Situata e zjarrit në malin e Shëngjinit paraqitet ndjeshëm e përmirësuar, ndërsa flakët janë tashmë pothuajse plotësisht nën kontroll.

Pas një pune intensive gjatë gjithë natës nga 6 mjete zjarrfikëse dhe forcat e angazhuara në terren, është bërë e mundur izolimi i zjarrit, ndërsa kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla aktive.

Për shuarjen përfundimtare të tyre, gjatë ditës së sotme është angazhuar edhe një helikopter, i cili po operon nga ajri për shkak të terrenit të vështirë malor, duke mbështetur forcat që vijojnë ndërhyrjen në tokë.

Fatmirësisht, nga zjarri nuk raportohen dëme në banesa apo biznese, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për të shmangur riaktivizimin e flakëve.

Ndërkohë, qarkullimi në aksin rrugor Lezhë–Shëngjin vijon normalisht, pa asnjë pengesë për drejtuesit e mjeteve dhe pushuesit që kanë zgjedhur bregdetin e Shëngjinit për të kaluar fundjavën.