Kolumbia mposht Ganën dhe siguron kualifikimin, në 1/8-at e Botërorit përballet me Zvicrën

Kolumbia siguroi kualifikimin për në fazën e 1/8-ave të finaleve të Botërorit 2026, pasi mposhti me rezultatin minimal 1-0 Ganën në stadiumin "Arrowhead" të Kansas City.

E mbështetur nga rreth 30 mijë tifozë me fanellat e verdha, skuadra e drejtuar nga Nestor Lorenzo dominoi ndeshjen, por nuk arriti ta mbyllte për shkak të shumë rasteve të shpërdoruara para portës. Në raundin tjetër, kolumbianët do të përballen me Zvicrën.

Goli i vetëm i takimit u shënua që në minutën e 15-të. Pas dëmtimit të sulmuesit titullar Kordoba, në fushë u hodh Luis Suarez, i cili dhuroi një krosim perfekt në zonë. Mbrojtja ganeze gaboi në ndërhyrje dhe Jhon Arias përfitoi, duke mposhtur portierin Zigi me një goditje të saktë në shtyllën e dytë.

Edhe pse kaloi shpejt në avantazh, Kolumbia humbi shumë mundësi për të dyfishuar rezultatin, sidomos me Luis Diaz. Sulmuesi anësor shpërdoroi disa raste të pastra përballë portierit kundërshtar, ndërsa një gol iu anulua për pozicion jashtë loje. Më pas ai nuk arriti të mposhtte portierin e Ganës edhe në një tjetër rast të artë.

Në minutat e fundit, edhe Davinson Sanchez me kokë dhe Juan Quintero me një goditje nga distanca provuan të gjenin golin e dytë, por pa sukses. Megjithatë, fitorja 1-0 ishte e mjaftueshme për t'i dhënë Kolumbisë biletën për në fazën tjetër.