Dua Lipa shfaqet në New York, fansat aludojnë se mund të jetë e ftuar në dasmën e Taylor Swift
Dua Lipa është fotografuar në rrugët e New York-ut, duke nxitur spekulime se mund të jetë mes të ftuarve në dasmën e shumëpërfolur të Taylor Swift dhe Travis Kelce.
Këngëtarja shqiptaro-britanike u pa të enjten me një paraqitje të thjeshtë verore, ndërsa prania e saj në qytet përkoi me ceremoninë e raportuar të çiftit.
Edhe disa emra të njohur të industrisë së muzikës dhe kinemasë, si Selena Gomez, Gigi Hadid dhe Bradley Cooper, janë parë në New York, duke shtuar zërat për pjesëmarrjen e tyre në festimet, shkruan DailyMail.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se Dua Lipa është e ftuar apo do të marrë pjesë në dasmë. Përfaqësuesit e saj dhe të Taylor Swift nuk kanë komentuar raportimet.
Dua Lipa dhe Taylor Swift njihen prej vitesh dhe janë fotografuar së bashku në disa aktivitete publike, ndërsa në vitin 2018 Swift i kishte dërguar këngëtares një buqetë me lule.
Megjithatë, vitet e fundit fansat kanë spekuluar se raporti mes tyre mund të jetë ftohur, pas disa komenteve të Lipës për artistët që frymëzohen nga jeta private për tekstet e këngëve.
Ndërkohë, dasma e Taylor Swift dhe Travis Kelce është shoqëruar me masa të rrepta sigurie dhe privatësie, ndërsa organizatorët thuhet se kanë kërkuar nga të ftuarit të respektojnë rregulla të veçanta për të shmangur rrjedhjen e informacioneve në publik. /Telegrafi