Gruaja që i vendosi bombën miliarderit ukrainas dyshohet se është arratisur në Ballkan
Një grua ukrainase, e cilësuar nga autoritetet si “e armatosur dhe e rrezikshme”, është e dyshuara kryesore për shpërthimin me bombë në Monako, ku mbetën të plagosur rëndë miliarderi ukrainas Vadim Yermolaev, partnerja e tij Anna Nasobina dhe djali i tyre 13-vjeçar.
Prokurori i Përgjithshëm i Monakos, Stephane Thibaut, konfirmoi se e dyshuara është një shtetase ukrainase rreth të 30-ave, me banim në Gjermani. Sipas një burimi pranë hetimit, ajo dyshohet se u përpoq të maskohej si burrë gjatë kryerjes së sulmit, por u identifikua nga një dëshmitar.
Sipas raportimeve të mediave greke, e dyshuara besohet se është larguar nga Monako së bashku me bashkëpunëtorët e saj drejt Italisë, ndërsa hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të ketë mbërritur në një prej vendeve të Ballkanit.
Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, pak para orës 21:00, në hyrje të pallatit ku banonte familja. Hetimet paraprake tregojnë se eksplozivi ishte vendosur në një çantë shpine të braktisur dhe u aktivizua në distancë përmes një telefoni celular.
Si pasojë e shpërthimit, Anna Nasobina humbi të dyja këmbët, ndërsa 58-vjeçari Vadim Yermolaev pësoi plagë të rënda nga copat e bombës dhe djegiet. Autoritetet vlerësojnë se e dyshuara ndodhej rreth 12 metra larg vendit të shpërthimit në momentin e aktivizimit të pajisjes.
Autoritetet franceze po hetojnë disa pista, përfshirë mosmarrëveshje financiare, lidhje me krimin e organizuar dhe konflikte të mundshme që lidhen me aktivitetin e mëparshëm të biznesit të Yermolaev.
Yermolaev, i cili jeton në Monako që prej vitit 2021, është përballur ndër vite me akuza për aktivitete të paligjshme, të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht. Në vitin 2019 ai hoqi dorë nga shtetësia ukrainase dhe mori shtetësinë qipriote, ndërsa në dhjetor 2023 autoritetet në Kiev vendosën sanksione personale ndaj tij.