'Më grabitën djalin', Protestuesi thirrje nga protesta: Të arrestohet truproja i Ulsi Manjës, Saimir Kuka
Akuza të forta u hodhën nga podiumi i protestës së 34-të të zhvilluar në Tiranë, ku një prej qytetarëve që mori fjalën akuzoi drejtuesit më të lartë të qeverisë për ngjarjet e një dite më parë. Ai theksoi se djali i tij u arrestua ditën e djeshme gjatë protestës para Parlamentit, ndërsa kërkoi arrestimin e truprojës së ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, për të cilin tha se ishte i përfshirë në incidentet e ndodhura.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve, ai tha se mbërriti me vonesë në tubim pasi ishte angazhuar me çështjen e djalit të tij, për të cilin pretendoi se u arrestua pa të drejtë.
“Ju kërkoj falje që erdha pak me vonesë, por isha me arsye, sepse një bandë, me në krye Ulsi Manjën, e nxitur nga Taulant Balla dhe kreu i bandës Edi Rama, ma grabiti djalin, i cili po pinte kafe në një lokal”, u shpreh protestuesi.
Ai pretendoi se gjatë ngjarjeve të së enjtes policia nuk ka ndërhyrë për të parandaluar shkeljet dhe akuzoi autoritetet për mënyrën e menaxhimit të situatës.
“Dje u shkel ligji me grabitjen e çunave tanë. Policia bënte sehir”, deklaroi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, protestuesi kërkoi arrestimin e truprojës së ministrit të Drejtësisë, Saimir Koka, për të cilin pretendoi se është përfshirë në incident.
“Të arrestohet bodyguardi i Ulsi Manjës, Saimir Koka. Ju erdhi fundi”, tha ai.